I nxehti përfshin Greqinë, javën tjetër temperatura mbi 44 gradë

30/07/2021 20:53

Për të dytën ditë rresht, Greqia po përballet me një valë moti të nxehtë e cila sipas parashikimeve të meteorologëve do të jetë intensive dhe e zgjatur duke vazhduar në të gjithë dhjetëditëshin e ardhshëm.

Vala e të nxehtit pritet të arrijë kulmin në fillim të javës tjetër me temperaturë mbi 44 gradë, ndërsa në 24 orët e fundit, mbi 107 stacione meteorologjike në të gjithë vendin kanë regjistruar temperatura mbi 40 gradë.

Në të paktën tetë qytete apo komuna të Greqisë kontinentale sipas shërbimit sinoptik kombëtar, termometri ka treguar në mesditë nga 42,5 në Kalabaka deri në 43.3 gradë Celsius në Platanulia të Larisës.

Edhe gjatë natës temperaturat pritet të jenë mesatarisht rreth 28 gradë Celsius në shumicën e zonave.

Bëhet fjalë për valën e dytë të zgjatur të motit të nxehtë në Greqi këtë verë pas asaj në qershor që zgjati 11 ditë dhe, që sipas ekspertëve, ishte më e vështira  që nga viti 2007, ndërsa thuhet se mund të tejkalojë atë të vitit 1987 që ka zgjatur 13 ditë.

Autoritetet e mbrojtjes civile thirrën një takim urgjent të Premten në mbrëmje për të koordinuar veprimet në përballjen e pasojave të të nxehtit. Ministri i Mbrojtjes së qytetarit ka këshilluar banorët të qëndrojnë brenda dhe të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në rrezet e diellit të mesditës.

Bashkitë kanë hapur vendet publike me ajër të kondicionuar për të moshuarit dhe të pamundurit, por qasja  e tyre në këto hapësira është minimale nga kufizimet  e pandemisë.

Top Channel