SHBA/ Senati dakort të fillojë debatin mbi projektligjin dypartiak për infrastrukturën

29/07/2021 06:58

Senati votoi të mërkurën në mbrëmje për të filluar punën për një plan kombëtar të infrastrukturës prej gati 1 trilion dollarësh pasi Presidenti Joe Biden dhe një grup senatorësh dypartiak arritën marrëveshjen mbi dispozitat kryesore të paketës që përbën një pjesë të rëndësishme të axhendës së tij presidenciale.

Presidenti Biden e përshëndeti marrëveshjen duke thënë se ajo do të tregonte se Amerika mund të “bëjë gjëra të mëdha” – me investimet më të rëndësishme afatgjata në gati një shekull, tha ai, duke e krahasuar atë me ndërtimin e linjës hekurudhore transkontinentale apo sistemin e autostradës ndërshtetërore.

“Kjo marrëveshje i sinjalizon botës se demokracia jonë mund të funksionojë,” tha Presidenti Biden përmes një deklaratë. “Ne do ta transformojmë edhe një herë Amerikën dhe do ta ngremë lart drejt së ardhmes”.

Miratimi i rrallë dypartiak, me 67 vota pro dhe 32 kundër, sinjalizoi interesin mes senatorëve për të filluar procesin e marrjes në shqyrtim të paketës së infrastrukturës. Por është e paqartë nëse një numër i mjaftueshëm senatorësh do të mbështesin miratimin përfundimtar të paketës, e cila përfshin 550 miliardë dollarë në shpenzime të reja të punëve publike.

Votimi procedural i së mërkurës fillon një debat që do të zgjasë potencialisht disa ditë. Negociatorët arritën më herët një marrëveshje për paketën ligjore prej 1.2 trilionë dollarësh për infrastrukturën. “Senatorët vazhdojnë të arrijnë progres”, tha Senatori demokrat Schumer në një fjalim në sallën e Senatit. Senatorja republikane Susan Collins, megjithatë, paralajmëroi se disa detaje ishin ende duke u finalizuar.

Një tjetër senatore republikane, Lisa Murkowski, u tha gazetarëve se, “Unë mendoj se ekziston një vullnet i konsiderueshëm nga të dy kahët politikë që duan të arrijnë tek një paketë për infrastrukturën”. Më 21 korrik, republikanët e bllokuan një veprim të tillë, duke u ankuar se projekt-ligji nuk ishte shkruar ende. Demokratët shpresojnë të miratojnë këtë muaj, ose në fillim të muajit tjetër, projektligjin për të cilin do të jetë rënë dakord në negociatat dypartiake. Kjo mund të ndihmojë në eliminimin e pengesave për demokratët, të cilët duan të fillojnë punën për një tjetër projektligj me një buxhet prej rreth 3.5 trilionë dollarësh, të cilin republikanët zotohen se do ta kundërshtojnë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA