Koreja e Jugut raporton numrin më të lartë të infektimeve me COVID-19 që nga shpërthimi i pandemisë

29/07/2021 01:59

Koreja e Jugut ka raportuar 1.896 raste të tjera të COVID-19, shifra më e lartë ditore që nga shpërthimi i pandemisë në vendin aziatik në muajin janar të vitit 2020.

Të dhënat e fundit të Agjencisë Koreane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve tregojnë se shifrat e fundit ditore çuan numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara me këtë virus në 193.427 derisa vendi lufton me valën e katërt të shpërthimit.

Rastet e reja me COVID-19 në Korenë e Jugut janë rritur që nga 7 korriku kur autoritetet raportuan se po përhapet lloji më shumë i transmetueshëm Delta i koronavirusit, i identifikuar për herë të parë në Indi.

Me katër viktima të tjera gjatë ditës së fundit, numri i të vdekurve po ashtu u rrit në 2.083. Sipas agjencisë së lajmeve “Yonhap”, autoritetet shëndetësore koreane kanë shprehur frikë se kurba e virusit akoma mund të mos ketë arritur kulmin e saj, pasi lloji Delta po bëhet lloji dominues në vend.

Për të parandaluar përhapjen e virusit qeveria ka shtuar masat, veçanërisht në kryeqytetin Seul dhe rrethinat e tij.

Top Channel