SHBA ndryshon udhëzimin: Edhe ata që kanë bërë vaksinë, të mbajnë maskë!

28/07/2021 16:37

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara ndryshoi disa udhëzime në lidhje me mbajtjen e maskës.

CDC njoftoi rekomandimet e reja sipas të cilave, edhe njerëzit e vaksinuar duhet që të mbajnë maska në ambientet e brendshme në pjesët e Shteteve të Bashkuara, ku rastet e koronavirusit janë në rritje. Shkencëtarët përmendën informacionet e reja në lidhje me aftësinë e variantit delta për t’u përhapur midis njerëzve të vaksinuar, thotë VOA.

CDC gjithashtu rekomandoi mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura për të gjithë mësuesit, personelin, nxënësit dhe vizitorët në shkolla, pavarësisht nëse ata janë të vaksinuar apo jo. Në Shtetet e Bashkuara tani shënohen mesatarisht më shumë se 57,000 raste në ditë me Covid-19 dhe 24,000 shtrime në spital. Udhëzimi për mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura publike vlen për rajonet e Shteteve të Bashkuara me të paktën 50 raste të reja në ditë për 100,000 banorë në javën e fundit.

E në këtë kategori hyjnë tani 60 përqind të qarqeve të Shteteve të Bashkuara. Udhëzimi i ri pason vendimet e fundit të ndërmarra në Los Anxhelos dhe Saint Louis për të rikthyer në fuqi rregullin për mbajtjen me detyrim të maskës në ambiente të mbyllura për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19 dhe shtrimeve në spital që kanë qenë veçanërisht të rënda në jug të vendit.

Top Channel