Hera e dytë! Belgjika goditet sërish nga përmbytje të fuqishme!

26/07/2021 12:44

Belgjika është përballur me përmbytje të befasishme për të dytën herë brenda pak më shumë se një jave.

Shirat e dendura kanë bërë që rrugët e qytetit Namur të kthehen në lumenj të vërtetë, ndërsa shumë shtëpi e sidomos katet e para, janë mbushur me ujë.

Videot e postuara në rrjetet sociale treguan disa makina në qytetin Dinant teksa rrëmbeheshin nga uji. Për shkak të përmbytjeve, një sërë rrugësh në zonë janë mbyllur e disa banesa u evakuan pas shembjes së një muri mbajtës. Nuk dihet ende nëse ka viktima. Metereologët paralajmëruan se reshjet do të vazhdojnë. Javën që shkoi, të paktën 37 persona humbën jetën si pasojë e përmbytjeve në këtë vend.

Katër ishin vendet e goditur më fort nga përmbytjet e javës së kaluar në Europë, Gjermania që shënon dhe numrin më të madh të viktimave, gati 160, Belgjika, Holanda e Luksemburgu, por me vërshime të befta uji u përballën edhe Zvicra, Austria dhe Republika Çeke. Për të nderuar ata që humbën jetën nga përmbytjet, Belgjika e kishte shpallur 20 korrikun ditë zie.

 

 

Top Channel