7 të vdekur në përplasjen e të paktën 20 automjeteve prej stuhisë së rërës në SHBA (fotot)

26/07/2021 20:34

Ka arritur në shtatë numri i personave që kanë ndërruar jetë dhe disa të tjerë janë të plagosur rëndë pasi një stuhi rëre në Utah, SHBA, bllokoi shikueshmërinë dhe shkaktoi një aksident zinzhir prej të paktën 20 automjetesh.

Përplasja e rëndë ndodh në autostradën I-15 pranë Kanosh, njoftonin shërbimet publike të Utah duke shtuar se disa të plagosur u dërguan në spital në gjendje të rëndë. Autoritetet nuk specifikuan sesa të plagosur ishin por thanë se numri i viktimave mund të rritet.

“Duket se të paktën 20 automjete u përfshinë në aksident, teksa erërat e forta shkaktuan një stuhi rëre ose pluhuri, duke penguar shikueshmërinë në rrugë. Patrulla rrugore e Utah thërriti për ndihmë trupa nga Richfield e Beaver ndërsa shumë ambulanca rrugore e ajrore janë mobilizuar për transportin e të prekurve”, njoftonin autoritetet.

Imazhe të rënda nga vendi i aksidentit tregonin shumë mjete me rimorkio të përfshira në aksident dhe gjithashtu vetura pasagjerësh të dëmtuara nga përplasja. Të paktën një prej automjeteve kishte dyert e pasagjerëve të shkatërruara.

Një stuhi me erëra të forta ishte raportuar dje pasdite në Kanosh.

Aksidenti vjen në kohën kur shteti i Utah është në një thatësirë ekstreme.

Autoritetet thanë se identitetet e viktimave nuk do të publikohen deri 24 orë pas njoftimit të familjarëve.

FOTO GALERI
2/5
Përplasja e rëndë ndodh në autostradën I-15 pranë Kanosh, njoftonin shërbimet publike të Utah

Top Channel