Një problem shumë serioz që po hasin prindërit e fëmijëve që këtë vit hyjnë në klasën e parë apo në gjimnaze.

Procesi i regjistrimit në shkolla u kërkua të bëhet on line nëpërmjet e-albania. Afati i fundit ishte deri në datën 15 korrik, ndërkohë që në datën 25 korrik shkollat do ti kthejnë përgjigje sërish on line.

Por në këtë proces ka ndodhur një ngatërrim të dhënash të aplikimeve, ku rezultojnë fëmijë të cilëve sistemi u ka vendosur të dhënat e prindërve, si ditëlindja apo vendlindja.

Këto ishin problematikat që kanë lindur nga projekti pilot me regjistrimet on line. Sigurisht që një proces i ri ka mangësitë e veta por e rëndësishme është që ato të zgjidhen në kohë për të mos krijuar më shumë kosto në arsimimin e fëmijëve.

Zgjidhja kërkohet sot, sepse në shtator do jetë vonë dhe nuk duhet që fëmijët të hyjnë në klasa më vonë se bashkëmoshatarët e tyre.

Top Channel u interesua pranë Ministrisë së Arsimit dhe zyrtarët atje janë në dijeni të problematikave që kanë dalë nga regjistrimi on line dhe ata konfirmuan se po mendojnë një raund të dytë regjistrimesh në muajin shtator.

Top Channel