Nëna elefant me dy të vegjël bllokohen në pusin e baltës, para se të shpëtohen heroikisht nga vendasit (fotot)

23/07/2021 16:03

Një familje elefantësh afrikanë patën fat që shpëtuan gjallë nga një pellg balte thithëse, ku mbetën të bllokuar në rezervatin e tyre në Kenia.

Doktori 34 vjeçar Kieran Avery, ishte pjesë e grupit që bëri shpëtimin dramatik të tre elefantëve, që ishin bllokuar në pellgun e baltës pranë digës dhe rezervuarit.

Kirurgu veteriner ka pasur edhe eksperienca të tjera me çlirim të elefantëve nga situata të ngjashme. Ai drejtoi përpjekjen e shpëtimit të tre kafshëve pasi mori thirrjen për ndihmë nga komuniteti.

Ai thotë se grupit iu deshën dy orë për çlirimin e elefantëve në komunitetin Oldonyiro në Isiolo të Kenias, pas një plani të kujdesshëm të hartuar nga grupi.

Dr Avery thotë se ata lidhën litarë rreth kafshëve, në mënyrë të tillë që elefantët të mos tërhiqnin ose lëndonin njerëz gjatë çlirimit të tyre.

Ai shtoi: “Ne dyshojmë se nëna ose një nga të rinjtë ra fillimisht në pellgun vrasës dhe më pas është ndjekur nga të tjerët, të cilët treguan besnikëri ndaj njëri-tjetrit, por gjithashtu mbeten të bllokuar.”

“Për fat të mirë asnjë prej tyre nuk u plagos, veçanërisht nëna. U desh një përpjekje e madhe për të mos i lëvizur të gjithë në të njëjtën kohë. Duhet të tregoheshim të kujdesshëm e vigjilentë. Më pas nga elefantët e ezauruar prej lodhjes, më të rinjtë u zgjuan më shpejt. Më i vogli u ngrit në këmbë i pari”.

“I mesmi kishte nevojë për afro dhjetë minuta që të ngrihej ndërsa nëna kërkoi edhe më gjatë, afro 20-25 minuta.”

“Dy më të rinjtë u ngritën dhe nisën të ecnin bashkë, ndërsa nëna u bashkua me ta pas rreth 15 minutash. Me siguri që janë bashkuar shpejt me njëri-tjetrin, ata mund të komunikojnë  në distanca të largëta”.

“Ishte diçka mjaft pozitive që  komunitetet të kërkojnë ndihmë për elefantët kur bllokohen kështu, në vend që t’i vrasin”.

Edhe muajin e kaluar një elefantë e vetmuar femër mbeti e bllokuar në të njëjtin vend dhe Dr Avery erdhi përsëri në ndihmë me metodat e tij të sprovuara.

Deri në vitin 2021, elefantët afrikanë konsideroheshin në rrezik zhdukjeje, si pasojë e humbjes së habitatit dhe gjuetisë ilegale.

FOTO GALERI
3/16
Ai drejtoi përpjekjen e shpëtimit të ter kafshëve pasi mori thirrjen për ndihmë nga komuniteti.

Top Channel