Bie autobuzi në plazhin e rezortit në Capri, vdes shoferi ndërsa 28 mbeten të plagosur në incident (fotot)

23/07/2021 15:33

Një minibus në ishullin italian të Capri është përplasur sot me trafik-ndarëset dhe më pas ka rënë në zonën e plazhit, duke vrarë shoferin e mjetit e duke plagosur pasagjerët në bord dhe të tjerë në zonën e aksidentit.

Zjarrfikësat vendas thanë se mjeti kishte 11 pasagjerë në bord por një total prej 28 personash u plagosën, në aksidentin pranë zonës së njohur të Marina Grande në ishull.

Kryebashkiaku i Capri, Marino Lembo tha për televizionin italian se shoferi kishte ndërruar jetë pak pas përplasjes, për çka mediat thonin se kishte pësuar një atak kardiak. Nuk është e qartë nëse ai kishte pësuar atakun kardiak para apo pas përplasjes.

Katër pasagjerë të mjetit ishin plagosur më rëndë, duke përfshirë dhe një fëmijë që u dërgua me helikopter në spitalin e Napolit, raportonin mediat.

E përditshmja La Repubblica tha se një total prej 28 njerëzish ishin plagosur në incident, duke sugjeruar se mes tyre ishin dhe njerëz në tokë.

Mediat sugjeronin se autobuzi kishte rënë nga një lartësi prej 6-7 metrash pasi shoferi kishte humbur kontrollin e tij.

Mjeti ishte përplasur fillimisht me trafik-ndarëset e rrugës dhe më pas kishte rënë disa metra larg plazhit të mbushur me njerëz.

Pamjet nga vendngjarja tregonin mjetin e shkatërruar në anë të një shkëmbi të lartë, në rezortin e plazhit ku ishte rrëzuar.

Mediat italiane thonin se pushuesit ishin larguar drejt detit për t’u mbrojtur kur dëgjuan zhurmën e fortë të përplasjes.

Pasagjerët në minibus u ndihmuan më pas nga zjarrfikësit dhe karabinierët që erdhën në skenë.

Disa helikopterë sollën në skenë doktorë nga Napoli dhe dërguan në spital të plagosurit më rëndë.

“Shoferi mund të ketë pësuar një sëmundje: për momentin kjo është vetëm një hipotezë, por nuk besoj se është manovrim i gabuar pasi po ecte në malore”, tha zv. kryebashkiaku Anacapri Francesco Cerrotta për mediat.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel