Gratë kryejnë Haxhin të pashoqëruara në Mekë, pas heqjes së rregullit të ‘mbrojtësit’ mashkull (fotot)

22/07/2021 18:50

Bushra Shah, një myslimane 35-vjecare nga Pakistani, thotë se ka realizuar ëndrrën e jetës duke kryer pelegrinazhin madhor drejt Mekës, kësaj here sipas rregullit të ri, pa një mashkull “mbrojtës”.

Ministria saudite e Haxhit ka lejuar zyrtarisht gratë e të gjitha moshave të kryejnë pelegrinazhin pa një të afërm mashkull, që njihe tashmë si “mehrem”, me kusht që ato të jenë në grup.

Vendimi është pjesë e reformave të princit saudit të kurorës Mohammad bin Salman, i cili gjithashtu ka lejuar sivjet gratë të drejtojnë makinën ose të udhëtojnë jashtë shtetit pa një shoqërues mashkull.

“Është sikur të realizohet një ëndërr. Ka qenë ëndrra ime e fëmijërisë të kryeja Haxhin,” thotë Bushra për rrjetin AFP, para se të nisej nga qyteti i saj drejt qytetit port saudit Jeddah.

Nëna e re po kryen pelegrinazhin pa bashkëshortin dhe fëmijën, të cilët sipas saj po te ishin me te, do të kishin prishur përqendrimin e saj në eksperiencën shpirtërore të riteve fetare.

Bushra është një nga vetëm 60,000 pelegrinët që morën pjesë në pelegrinazhin e sivjetshëm, i reduktuar dramatikisht në numër prej pandemisë së koronavirusit.

Bashkëshorti i saj Ali Murtada, thotë se e ka “inkurajuar fuqimisht” gruan të bëjë udhëtimin në Mekë, teksa do e shoqërojë atë deri në Jeddah ku do të kujdeset për fëmijën.

“Ne vendosëm që vetëm një nga ne të shkonte. Vitin që vjen ajo do të jetë shtatzënë dhe ndoshta nuk do të lejohet të marrë pjesë,” thotë 38-vjeçari.

Por megjithë heqjen e kufizimeve për gratë nga ministria e Haxhit, disa gra janë ankuar se nuk janë pranuar për udhëtimin nga agjencitë arave të udhëtimit, për të cilat është e pazakontë që gratë të udhëtojnë pa një shoqërues mashkull.

FOTO GALERI
1/11
Ministria saudite e Haxhit ka lejuar zyrtarisht gratë e të gjitha moshave të kryejnë pelegrinazhin pa një të afërm mashkull

Top Channel