Përse u përfshi Bashkimi Sovjetik në Luftën Civile Spanjolle? (fotot)

17/07/2021 21:48

BRSS thoshte asokohe se ishte një nga arsyet kryesore që shtyu sado pak rënien e Republikës së Spanjës, edhe pse përfundimisht nuk arriti të ndalonte lindjen e një tjetër shteti evropian të ngjashëm me atë të Hitlerit.

Lufta civile që shpërtheu në Spanjë më 1936 u kthye në njëfarë “prove gjenerale” për Luftën e Dytë Botërore, pasi ishte në gadishullin Iberik ku forcat e Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste u përlasën për herë të parë me ato të Bashkimit Sovjetik.

Qëllimi i Moskës në dhënien e asistencës për Republikën e Dytë të Spanjës ishte parandalimi i fitores së forcave pro-gjermane nacionaliste të Francisco Franco, për të reduktuar influencën e Rajhut të Tretë dhe nxitjen e përfshirjes se vendeve perëndimore në lëvizjen anti-fashiste.

Por këto të fundit e distancuan veten nga konflikti dhe vetem vendosën embargo të furnizimit me armë të vendit.

Anija e parë me armatime sovjetike mbërriti në Cartagena më 12 tetor 1936. Gjatë gjithë luftës një total prej 66 anijesh me pajisje sovjetike lufte si armë të lehta, municion dhe materiale të tjera, mbërritën në portet e kontrolluara nga forcat e Republikës.

Fronti Popullor spanjoll  i paguante ato me anë të rezervave të floririt dhe huave sovjetike.

Gjatë tre viteve të luftës Moska  llogaritet se ka furnizuar frontin me 648 avionë (tipet gjuajtës I-15 I-16, bombardues SB), 347 tanke (T-26), 60 autoblinda, rreth 1,100 pjesë artilerie, 340 mortaja, 20,000 mitralozë, 500,000 pushke dhe municionet e tyre. Ministri i forcave ajrore e detare të republikës spanjolle Indalecio Prieto shkruante në janar 1937: “Bashkimi Sovjetik është i vetmi vend në botë (përveç Meksikës) që jep ndihma ushtarake për Republikën, pa zhurmë apo fishekzjarre…”

Gjuajtes Polikarpov I-16 ne Spanje

Bashkë me armatimet një numër i madh personeli ushtarak sovjetik u dërgua atje për të luftuar dhe trajnuar forcat republikane.

Pavel Sudoplatov, një nga krerët e atëhershëm të inteligjencës dhe sabotatorëve sovjetikë shkruante: “Në Spanjë u dërguan si operativë të rinj ashtu dhe nga ata me eksperiencë ose stërvitës profesionalë. Vendi u kthye në një kamp stërvitjeje për operacione inteligjence të së ardhmes”.

Por forcat nacionaliste gjermane e italiane në ndihmë të Franco-s i kalonin disa here trupat republikane dhe ato ruse. Ata kishin dy herë më shumë avionë, tre herë më shumë tanke apo pjesë artilerie.

Legjioni gjerman i aviacionit në Spanjë ishte kyçi i fitoreve të tyre ajrore gjatë luftës, i cili kishte rreth 5,000 njerëz personel. Ndërsa Mussolini dërgoi aty një ekspeditë me 50,000 njerëz, 20,000 prej të cilëve nga Garda e tij personale e “Këmishave të Zeza”.

Forcat sovjetike luajtën rol të rëndësishëm në betejat kryesore, siç ishte mbrojtja e Madridit në vjeshtën e 1936, apo sulmi i tetorit 29 ndaj ‘kavalerisë marokene’ të Franco-s.

Beteje ne rruget e Madrid ne 1936

Por pas disa disfatave të ushtrisë republikane në pranverën 1938, Stalini e kuptoi se Fronti Popullor ishte pranë shembjes dhe nisi ndërprerjen graduale të ndihmës, për t’u fokusuar në Evropën Qendrore.

Nga rreth 2,000 sovjetikët e dërguar në Spanjë, 189 humbën jetën, ndërsa rreth 6,000 komunistë spanjollë u vendosën në Bashkimin Sovjetik, pas rënies së republikës. Qindra prej tyre morën pjesë më pas në luftën kundër Gjermanisë Naziste.

Në tetor 1943, gjenerali Franco, duke parë kthimin e valës së luftës, riktheu në Spanjë divizionet e tij në Gjermani, edhe pse disa prej tyre refuzuan të ktheheshin dhe luftuan deri në rënien e Berlinit.

/Russia Beyond/

FOTO GALERI
1/7
Gjuajtes sovjetike Tupolev SB ne Spanje

Top Channel