Tre të vdekur pas përplasjes zinxhir, shpërthen në flakë kamioni në autostradën në Britani (fotot)

16/07/2021 18:55

Tre njerëz u vranë mëngjesin e sotëm në një përplasje të rëndë në autostradën A1 në veri të Britanise, teksa pas aksidentit një kamion i rrëzuar shpërtheu në flakë.

Policia tha se në aksidentin pranë qytezës së Durham u përfshinë dy automjete të rënda transporti dhe katër vetura.

Sot policia konfirmoi se shoferi që drejtonte një Toyota Hilux dhe një burrë e një grua që gjendeshin në veturën Vauxhall Crossland, kanë humbur jetën.

Oficerët thanë se identifikimi formal pritet të kërkojë pak kohë, por familjarët e viktimave janë njoftuar dhe po u jepet ndihmë psikologjike nga staf i trajnuar.

Shërbimet e emergjencës thanë se disa njerëz të tjerë janë plagosur, dy prej të cilëve po trajtohen në spitalin ‘North Durham Hospital’.

Shoferi 41 vjeçar i një prej kamionëve të përfshirë është arrestuar si i dyshuar për vrasje nga pakujdesia, dhe drejtim të rrezikshem të automjetit.

Disa ushtarë shiheshin sot në vendin e aksidentit në korsitë me drejtim nga veriu të autostradës, ndërsa mbetjet e përplasjes ishin të përhapura në një pjesë të gjerë të autostradës, së bashku me automjetet e dëmtuara.

Sot detektivi i policisë Dave Ashton, i cili drejton hetimet, tha: “Ishte një incident i tmerrshëm për të gjithë të përfshirët. Mendimet tona janë me familjarët dhe miqtë e atyre që kanë humbur jetën. Ky do të jetë një hetim i gjatë dhe kompleks prej përfshirjes së shumë automjeteve”.

FOTO GALERI
1/5
Tre njerëz u vranë mëngjesin e sotëm në një përplasje të rëndë në autostradën A1 në veri të Britanise

Top Channel