Në një kohë që Gjermania është nën pushtetin e një katastrofe, pas përmbytjeve masive që përfshinë vendin, shqetësimi është rritur ndjeshëm edhe për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë atje.
Theranda Lamaj një studente shqiptare, që jeton në Wuppertal, qytet në landin e Nordrhein-Westfalen, një nga më të prekurit, tregoi për Top Channel më shumë detaje rreth situatës atje.
Ajo tha se situata është kaotike, me rrugët e mbuluara krejtësisht nga uji dhe dëme materiale të shumta.
Në pamjet që shihni, të filmuara nga vetë studentja, shihet se si rrjedha e ujit ka marrë përpara çdo gjë që ka gjetur.
Ndërkohë studentja tregoi më tej se zona ku ajo jeton ka shumë shqiptarë , por fatmirësisht deri tani asnjë nuk është i lënduar, ndërsa të gjithë përpiqen të ndihmojnë njeri tjetrin.
Prej dy ditësh tashmë Gjermania është nën pushtetin e një katastrofe natyrore dhe numri i viktimave sa vjen e rritet ndërkohë që autoritet flasin për mijëra të zhdukur.
Më herët gjatë ditës së sotme ministria e jashtme doli me një deklaratë, ku vuri në dispozicion disa numra telefoni për këdo që ka nevojë për ndihmë.
Top Channel