Vlonjati i ofron punë Ramës: Të jap dyfishin e rrogës që merr si Kryeministër

14/07/2021 15:44

Bizneset që operojnë në zonën e Lungomares në Vlorë kërkojnë të qëndrojnë hapur edhe pas mesnate, me këtë arsye përfaqësuesit e tyre protestuan para komisariatit të policisë.

Ndërsa thonë se për kërkesën e tyre kanë lënë afat deri të dielën duke kërcënuar se do të mbyllin lokalet e tyre , përfaqësuesi i tyre i bëri një thirrje direkte kryeministrit Edi Rama për zgjidhjen e situatës, madje i ofroi dhe punë.

Biznesmeni Dionis Sota iu drejtua kryeministrit Rama, si njeriu që ata kanë më shumë besim, duke thënë: Ne i bëjmë thirrje gjithashtu kryeministrit që në këto kushte ku ne mezi e presim turizmin, të gjithë si biznese duke nisur nga baret, lounge, restorantet, duke pasur menaxherë dhe stafe të shkëlqyer, ne nuk arrijmë dot të dalim me fitim dhe jemi të gjithë pothuajse me këto orare, me këto kushtëzime, me këto mbyllje, kur nuk ulen taksat po ulet orari, nuk ulen taksat po të vjen polici te dera dhe duket sikur jemi në një shtet lufte dhe jo sikur po bëjmë turizëm që në orën 10, në orën 12 pastaj të vijnë derë më derë dhe të sillen në një mënyrë shumë për të dëshiruar.

Atëherë ne i bëjmë thirrje kryeministrit dhe e kemi menduar gjatë këtë pjesë që: vetëm te ty kryeministër kemi besim që të vish të na menaxhosh lokalet dhe ne të ofrojmë dyfishin e pagës që merr si kryeministër, megjithë bujarinë që ka një vlonjat dhe gjithë vlonjatët së bashku.

E kemi vendosur , e kemi menduar mirë do i kalojmë menaxherët tanë kamerierë dhe lekët që do kursejmë nga kjo manovër do ja japim të gjitha kryeministrit, do i japim dyfishin e pagës që merr, me besimin e plotë që ai nuk na vjedh dhe nuk na çon drejt falimentimit.

Top Channel