SPAK kap ish kryebashkiakun/ Pogradec, Eduard Kapri abuzoi në detyrë me tenderat. Pengoi zgjedhjet

13/07/2021 19:34

Dekreti i presidentit Ilir Meta që nuk njihte zgjedhjet e 30 qershorit 2019 dhe që nxiti kryetarin e bashkisë së Pogradecit të asaj kohe, Eduart Kapri të shpërndante një urdhër me shkrim për mos hapjen e shkollave si qendra votimi, e ka dërguar këtë të fundit si të pandehur në Gjykatën e Posaçme.

Pikërisht shkresa e firmosur prej tij e ka vënë në vështirësi ish zyrtarin, të cilit SPAK i ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Së bashku me ish kryebashkiakun Kapri janë nën akuzë dhe dy mirëmbajtësit Gurali dhe Safet Blaceri që u arrestuan në flagrancë pasi kyçën tre shkolla dhe një çerdhe, të miratuara si qendra votimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Akuza e dytë ndaj ish kryebashkiakut dhe vartësit të tij, zv.kryetarit Avdulla Cano lidhet me shkeljen e barazisë në tendera. SPAK këmbëngul se Eduart Kapri në bashkëpunim me tre anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave abuzuan me një tender me vlerë 9 milionë lekë.

Ankesa u dorëzua nga një kompani që thotë se u skualifikua gjatë 2017 për tenderin që duhet të furnizonte shkollat me dru zjarri. Ky tender u anulua për 2017 dhe u ribë në 2018 ku sërish u përzgjodh si fituese kompania Kopaçi SHPK, megjithatë sipas SPAK, operatori fitues u caktua me preferencë.

Në të gjitha gjykatat postulati “Ligji është i barabartë për të gjithë” është shprehja më e afishuar, por më pak e përdorur dhe me operacionit më të fundit anti korrupsion dhe ndaj tenderave të dyshimtë ende nën hetim duket sikur SPAK po përpiqet që edhe të pandëshkueshmit ta kuptojnë çdo të thotë përballje me ligjin.

Top Channel