Sekuestrimi i kokainës në Portin e Durrësit/ Arrestohet pronari i kompanisë ku do shkonte kontejneri, në kërkim administratori

13/07/2021 20:37

Policia e Durrësit ka dalë me njoftim zyrtar për sekuestrimin e kokainës në Portin e Durrësit. Në njoftimin për media bëhet e ditur se sekuestrimi i saj është bërë si rezultat i punës së përbashkët të Task Forcës permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit.

Bëhet e ditur se është arrestuar në flagrancë menaxheri i firmës ku do mbërrinte kontenieri, si dhe është shpallur në kërkim administratori i saj.

“Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në pjesën e motorit të frigoriferit u gjetën 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë 11 kg e 675 gr.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin B. G., 34 vjeç, banues në Tiranë (menaxheri i firmës ku do mbërrinte kontenieri), si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D., 50 vjeç, banues në Tiranë (administratori i firmës)”, njofton policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Top Channel