Kapet kokainë mes bananeve në Portin e Durrësit/ Gjenden 14 pako në mes të frutave, 2 të shoqëruar! Kontrolli vazhdon

13/07/2021 13:10

Një sasi e konsiderueshme me kokainë u gjet në një kamion me banane në Portin e Durrësit.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se deri më tani janë zbuluar 14 pako me kokainë, sasi e cila pritet të rritet pasi të përfundojë kontrolli i kontenierit.

Të njëjtat burime theksojnë se kanë qenë efektivët nga drejtoria e policisë së kufirit të cilët e kanë vendosur kontenierin në zonën e riskut e më pas skanimi nga ku është zbuluar lënda narkotike.

Pamje nga Porti i Durrësit ku ndodhet kontenieri

Policia në njoftim zyrtar paraprak për ngjarjen ndërsa konfirmon sasinë e raportuar nga TCH,  bën me dije se ka shoqëruar dy persona.

Burime policore nga ky operacion i thanë Top Channel se sasia e kapur sot ishte e fshehur në trupin e kontenierit pranë motorit të kondicionerit.

Kontenieri ka mbërritur në Portin e Durrësit dy ditë më parë nga Ekuadori dhe kamioni i përket një kompanie shqiptare.

Një rast i ngjashëm si ky i sotmi është zbuluar po në portin e Durrësit, tre vite më parë.

Port, Durrës /Informacion paraprak

Goditet një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, evidenton dhe sekuestron deri në këto momente 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Shoqërohen në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dy persona. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale, kanë ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me banane për llogari të një firme në Shqipëri.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, deri tani janë gjetur të fshehura 14 pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kokainë . Kontrolli vijon. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë shoqëruar dy persona për tu pyetur në lidhje me këtë ngjarje. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel