Brukseli ra dakord sot për të ngrirë projektin e tij për një taksë digjitale europiane, shumë e kritikuar nga SHBA, në mënyrë që të mos rrezikojë marrëveshjen historike mbi taksimin e kompanive shumëkombësheve.

“Suksesi i këtij procesi do të kërkojë një shtytje përfundimtare nga të gjitha palët dhe KE është i përkushtuar të përqendrohet në këtë përpjekje. Kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur të ndërpresim punën tonë mbi një propozim taksash digjitale”, tha një zëdhënës i Komisionit.

Projektligji i taksave digjitale i BE-së, që do të paraqitet në korrik, është thënë të jetë një nga burimet e reja të planifikuara për të financuar paketën e saj stimuluese prej 750 miliardë eurosh. Uashingtoni e konsideron këtë projekt diskriminues për kampionët e tij të teknologjisë, si Amazon, Google ose Facebook.

Sekretarja Amerikane e Thesarit, Janet Yellen, e pranishme sot në Bruksel për një takim me ministrat europianë të Financave (Eurogroup), i bëri thirrje BE-së të dielën për ta rishikuar atë. Megjithëse nuk është bërë ende publike, Komisioni Europian ka theksuar në mënyrë të përsëritur se ai do të ishte në përputhje me marrëveshjet e OECD-së dhe se nuk synonte gjigantët amerikanë, por do të prekte mijëra kompani, përfshirë ato në Europë.

Top Channel