“Drejtoresha më thërriste në zyrë”/ Zbardhet dëshmia e ish-kryetarit të komisionit të ofertave: Naqellari, dijeni për problemet

12/07/2021 19:29

Ish-zyrtarët në varësi të ministrisë së Brendshme mes tyre edhe Gëzim Mingaj i cili ditën e arrestimit doli në pension, hynë njëri pas tjetrit në gjykatën e posaçme, që la në fuqi vendimet e dhëna në mungesë dhe dërgoi në paraburgim tetë prej tyre, ndërsa e dyshuara Anisa Bogdani shkoi nën arrest shtëpiak.

Ish-drejtoresha e agjensisë Edlira Naqellari dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave dhe të njësisë së prokurimeve, dyshohet se shkelën barazinë në tenderin e uniformave të policisë dhe se në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie që po hetohen, ndikuan që uniformat e policisë të përshtaten sipas çmimeve për njësi që kërkonte policia.

Por përveç dosjes së sekuestruar nga prokurorët e SPAK dëshmia më interesante është e anëtarit të komisionit të vlerësimit të ofertave Ylber Pjetërnikaj, i cili tregon se kishte evidentuar se Bashkimit të Operatorëve i mungonte certifikata përkatëse për prodhimin këpucëve për efektivët e policisë së shtetit.

Pjeternikaj, ish-kryetar i komisionit të vlerësimit të ofertave sqaron në dëshminë e tij se e kundërshtoi këtë tender nga mungesa e dokumentacionit që duhej të garantonte cilësinë dhe pikërisht nga ky kriter duhej skualifikuar.

Shkelja tjetër sipas SPAK është pikërisht fakti se dy nga anëtarët e dyshuar dhe të cilët u lanë nën arrest me burg nga GJKKO përpiluan një raport ku konsideruan se këto certifikata konformiteti nuk janë domosdoshmëri pavarësisht se autoriteti kontraktues i konsideron si të tilla.

Në lidhje me këto probleme sipas Pjetërnikaj ishte në dijeni edhe drejtoresha Naqellari.

Ajo ishte e interesuar thekson Pjetërnikaj dhe periodikisht më ka thërritur në zyrë për tu interesuar për procedurën dhe për këtë arsye e kam vënë në dijeni për problemet.

Pjetërnikaj dhe Aurora Mulla u shpëtuan prangave ngaqë rezulton se kundërshtuan firmën, ndërkohë që dokumentet tregojnë se policia ka qenë kundër procedurës dhe për këtë arsye edhe ky institucion ka shpëtuar nga hetimet.

Top Channel