Përkujtohet masakra e Srebrenicës/ Sot 26 vjet nga mizoria më e madhe në Europë pas Luftës II Botërore

11/07/2021 11:52

Mijëra qytetarë të Bosnjë Hercegovinës u mblodhën për të përkujtuar 26 vjetorin e masakrës së Sebrenicës.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende sot.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,650 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur.

Kryeministri Edi Rama publikoi në shenjë nderimi një foto ku një grua është fiksuar kokë ulur mbi varrin e një prej të afërmëve.

Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se “Masakra e Srebenicës është një akt genocidal i cili duhet të njihet dhe të dënohet si i tillë nga bota e civilizuar. Shqipëria thekson ai duhet të ketë kurajon dhe pavarësinë për ta dënuar atë dhe genocidin serb në Kosovë, mbi të cilin PD, do të paraqesë në Kuvend një rezolutë.

Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA