Ekipet kanë nisur përforcimet për sezonin e ri futbollistik. Kjo merkato vere deri tani ka qenë mjaft interesante, por pandemia ka akoma gjurmët e saj tek financat e klubeve. Më poshtë po ju paraqesim disa lëvizje të fundit në merkato.

Alena transferohet te Getafe, Barça ruan 50% të kartonit
Carles Alena transferohet te Getafe. Mesfushori i talentuar, i rritur në akademinë e Barcelonës, ishte për disa muaj në huazim te klubi madrilen dhe tani është transferuar atje plotësisht. Nga ana tjetër Barcelona ka ruajtur 50% të vlerës së kartonit të rast rishitjeje të 21-vjeçarit dhe njëkohësisht të drejtën e blerjes duke barazuar çdo ofertë tjetër.

Arsenali fiton garën me Napolin për Nuno Tavares
Mbrojtësi i majtë portugez, Nuno Tavarez bëhet zyrtarisht pjesë e Arsenalit. Futbollisti i Benficës ndiqej me interes nga Napoli dhe londinezët, por ishin pikërisht këta të fundit që fituan garën për shërbimet e 21-vjeçarit dhe e bënë prezantimin zyrtar, duke zbuluar se Tavares do të mbajë veshur fanellën me numër 20.

Inter refuzon ofertën e Schalkes për mbrojtësin Pirola
Schalke 04 paraqitet me një ofertë zyrtare për mbrojtësin e talentuar të Interit, Lorenzo Pirola. Ky i fundit ishte sezonin e kaluar pjesë e Monzës së Serinë B, ku bëri mjaft mirë dhe tani kërkohet nga shumë klube edhe në Serinë A. Klubi gjerman ofroi një milionë euro huazim dhe më pas detyrim blerjeje për 5 milionë euro të tjera, por hasi në refuzimin e menjëhershëm të zikaltërve. Aktualisht futbollisti po monitorohet nga Inzaghi, që do të vendosë nëse do ta mbajë në ekip, apo do ta huazojnë në një tjetër klub në Itali.

Sirena angleze për Gollinin, Everton e Tottenham kërkojnë portierin e Atalantës
Me blerjen e portierit argjentinas Juan Musso, Atalanta po kërkon të shesë tashmë italianin Pierluigi Gollini, i cili ishte edhe titullari i formacionit deri në fund të sezonit. Gardiani 26-vjeçar ndiqet me interes nga Lazio e Fiorentina në Serinë A, por së fundi në dyert e Atalantës kanë trokitur edhe përfaqësues të Tottenhamit e Evertonit. Vlera e kartonit të Gollinit llogaritet rreth 10 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA