Hiqet statuja që shkaktoi trazira të dhunshme në SHBA

11/07/2021 03:13

Statuja e një gjenerali të Konfederatës Amerikane, që ishte në qendër të protestave të dhunshme në qytetin Sharllotsvill të SHBA-së, u hoq të shtunën. Statuja e gjeneralit Robert E. Lee dhe një tjetër e gjeneralit Thomas “Stonewall” Jackson do të vendosen në depo.

Planet për të hequr statujën e Leesë kanë nxitur një tubim të nacionalistëve të bardhë në gusht të vitit 2017. Një protestuese kundër racizmit, Heather Heyer, është vrarë atëherë nga një neo-nazist. Vrasësi i saj është dënuar më vonë me burgim të përjetshëm.

Përkujtimet për Konfederatën pro skllavërisë – e cila ka përfshirë shtetet jugore që janë rebeluar kundër Qeverisë federale gjatë Luftës Civile në SHBA – kanë shkaktuar për kohë të gjatë polemika. Qindra statuja të Leesë, Jacksonit dhe figurave të tjera të famshme të Konfederatës ekzistojnë nëpër vende të ndryshme të SHBA-së.

Disa i shohin ato si shënjuese të historisë amerikane dhe kulturës jugore. Por, për të tjerët, ato shërbejnë si një kujtesë fyese e skllavërisë dhe shtypjes racore në SHBA. Marshimi “Bashkoni të Djathtën”, i mbajtur në Sharllotsvill të shtetit Virxhinia, ishte një nga tubimet më të mëdha të tilla dhe tërhoqi qindra neo-nazistë dhe nacionalistë të bardhë.

Dhjetëra njerëz u plagosën në dhunën që shpërtheu midis marshuesve dhe kundër-protestuesve. Sharllotsvill vazhdoi të bënte presion për heqjen e statujës së Leesë edhe pas protestave, por u parandalua të veprojë me akte ligjore dhe ndryshime në ligj. Pastaj në prill, gjykata më e lartë e Virxhinias mori vendim që statuja mund të hiqet.

Top Channel