Nis ndërtimi i gardhit 550 km, i bllokon emigrantëve hyrjen në BE!

10/07/2021 17:10

550 km gardh do të ndërtojë Lituania përgjatë kufirit me Bjellorusinë në përpjekje për t`i ndaluar emigrantëve hyrjen në mënyrë të paligjshme në vendet e Bashkimit Europian.

Njoftimi i kryeministres Ingrida Simonyte i ka përshkallëzuar kështu edhe më shumë mosmarrëveshjet me Minskun. Ai vjen në mesin e akuzave në rritje se Bjellorusia po lejon kalimet në Lituani në formë shpagimi ndaj sanksioneve të Bashkimit Europian, të vendosura pas incidentit me avionin e pasagjerëve ne muajin maj dhe arrestimin e një gazetari dissident në bordin e tij.

Vilniusi u detyrua të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të emigrantëve të paligjshëm, të cilëve sipas tyre, autoritetet bjelloruse i kanë dhënë drite jeshile kalimi. Lituania, anëtare e bllokut 27 anëtarësh, është shtëpi e disa figurave te rëndësishme opozitare nga Bjellorusia, te larguara drejt këtij fqinj për t`i shpëtuar përndjekjes.

Simonyte njoftoi se ka nisur tashme ngritja e një barriere të mirëfilltë fizike e cila do të ndajë dy shtetet dhe do të bllokojë fluksin e klandestinëve. Që prej fillimit të qershorit, përgjatë kufirit 680 km që Lituania ndan me Bjellorusinë, janë regjistuar më shumë se 1000 kalime të paligjshme.

Top Channel