Greqi, 150 euro shpërblim për personat që vaksinohen

10/07/2021 17:50

Për të shpëtuar sezonin e turizmit, qeveria në Athinë planifikon duke nisur nga 15 korriku t’u paguajë 150 euro të rinjve që vaksinohen. Në Greqi, ka nisur një lloj çlirimi te njerëzve; me motin e ngrohtë dhe kohën për festa, frika nga virusi nuk është më aq e madhe dhe vullneti për imunizim, ka rënë.

Në vend të 100.000 vaksinimeve në ditë ritmi i vaksinimit është ulur në 85.000. Për këtë arsye, ekzekutivi grek po përpiqet t`i inkurajojë qytetarët për vaksinat duke ofruar shpërblime në para. Nga 15 korriku të gjithë të vaksinuarit nën 26 vjeç do të marrin një shpërblim prej 150 eurosh.

Kjo shumë do të jepet me vaksinimin e parë dhe mund të përdoret për bileta fluturimi, udhëtime me anije, për pushime apo për koncerte. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis bëri fjalë për një “pasaportë lirie”, nga e cila mund të përfitojnë rreth 940.000 të rinj.

Disa e kanë mbështetur me entuziasëm nismën, por ka dhe nga ata që e cilësuan “ një paturpërsi”, duke thënë se janë vaksinuar pasi e konsideronin të drejtë dhe nuk kishin nevojë të shpërbleheshin për këtë.

“Paratë qeveria duhet t’i investojë për më shumë autobusë që të mos ngjishemi si sardele dhe të mos infektohemi”, tha një 25 vjeçare, Nena. Nuk kanë munguar sakaq as të rinjtë që thonë se nuk duan të vaksinohen nuk do ta ndryshojnë mendimin edhe nëse marrin para.

Top Channel