Dera kryesore e mbyllur, dhjetëra fëmijë vdesin nga zjarri në fabrikë!

10/07/2021 15:55

Më shumë se 50 persona humbën jetën nga zjarri që përfshiu një fabrikë pijesh freskuese në Bangladesh, e pjesa dërrmuese e viktimave, sipas mediave britanike, janë fëmijë.

Dhjetëra trupa të pajetë janë nxjerrë nga ndërtesa 5 katëshe, ku zjarri me vështirësi të madhe u arrit te vihej nën kontroll. Mësohet se disa nga punonjësit, edhe pse ndodheshin në kate të larta, janë hedhur nga dritaret për t`i shpëtuar vdekjes nga flaket.

Të paktën 30 persona janë lënduar, e disa prej tyre mbeten në gjendje të rëndë.

Zjarri besohet të ketë nisur nga katet e para të ndërtesës, ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë. Disa prej të mbijetuarve thanë se dera kryesore e fabrikës ishte mbyllur, duke mos i lënë atyre rrugë shpëtimi.

Tre nga viktimat vdiqën pas hedhjes prej lartësisë, ndërsa 49 të humbën jetën brenda godinës. Trupat e tyre të djegur janë nxjerrë tashmë. Zyrtarë të policisë njoftuan se mbi ngjarjen e rëndë ka nisur menjëherë një hetim.

Tre njësi policore janë angazhuar për zbardhjen e fatkeqësisë, ndërsa autoritetet këmbëngulin që personat përgjegjës të dalin përpara drejtësisë.

Top Channel