Zbardhet dosja e tenderit korruptiv në Lushnje/ Si u skualifikuan dy kompanitë garuese, punimet u kryen nga miku i kryebashkiakut

08/07/2021 11:43

Në dosjen e gjykatës që disponon gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha zbulohet skema që kanë përdorur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe; administratori i kompanisë fituese për tenderin e kanalit vaditës, Bujar Murati, biznesmeni Ibrahim Lami, njëkohësisht mik i Tushes apo punonjës të tjerë.

Bazuar në përgjimet, rezulton se punimet janë kryer nga një biznesmen, mik i kryebashkiakut Tushe, Ibrahim Lami dhe jo nga kompania që fitoi  tenderin, “Euro alb shpk”.

Në dokument faktohet bashkëpunimi i Tushes dhe Peqinit në tenderin korruptiv për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatin Bishthëm dhe Bitaj.

SPAK vendosi masën “Arrest me burg” për kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe dhe bashkëpunëtorët e tij,  Flamuri Peqinin, Ibrahim Lamin, Bujar Murati, Bektash Nexha, Blerta Turku dhe Gazmend Çela.

Ndërsa ka caktuar masën “Arrest në Shtëpi” për Xhemal Hasko, Margarita Gjermëni, Andri Musho dhe Ani Simoni. Të gjithë personat e mësipërm janë të përfshirë në afera korruptive për tenderin 24 milionë  lekë që do të rehabilitonte kanalin vaditës në dy fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.

Sipas dosjes, policia referoi veprën penale në prokurori, pasi Flamur Peqini me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes së Pasurive Publike në Lushnje kryente veprime korruptive në lidhje me tenderat e ndërmarrjes duke shpërdoruar detyrën. Gjithashtu ai u shpërndante karburantin automjeteve të ndërmarrjes dhe atyre bujqësore duke hedhur sasi më shumë se sa deklarohej në shtet.

Pas dërgimit të çështjes në prokurori janë kryer hetime, përgjime telefonike e vëzhgim të të dyshuarve në vende publike.

Në lidhje me tenderin për rehabilitimin e kanalit vaditës në Kolonjë të Lushnjes, fituese u shpall “Euro Alb” shpk me administrator Bujar Muratin.

Me punimet dhe përfitimin real të të ardhurave është marrë Ibrahim Lami, i cili ishte në lidhje të ngushtë shoqërore me kryebashkiakun dhe Flamur Peqinin dhe lidhje familjare me Bujar Muratin.

Në datën 03.07.2020 bashkia Lushnje i është drejtuar Degës së Thesarit me kërkesën për ndryshim plani dhe limiti për buxhetin e vitit 2020 për vlerën 28.597.408 lekë , ku buxheti për atë vit ishte 10 milionë lekë dhe për 2021-SHIN 18.597.408 lekë/. Fondet kanë ardhur nga Ministria e Bujqësisë.

Në datën 23.07.2020 nga Autoriteti Kontraktor  Ndërmarrjes Pasurisë Publike shpalli prokurorimin publik me procedurë të hapur për 23.251.340 lekë pa TVSH duke caktuar afatin e punimeve 30 ditë.

Hartuesit e specifikimeve teknike, Blerta Turku, Bardhi Mëhilli dhe Ilva Bilo përcaktuan kriteret e veçanta për kapacitetet lidhore, profesionale të operatorëve ekonomikë duke përfshirë certifikata, licenca, numri i punonjësve, të paktën 100 me kohë të plotë për periudhën janar-Korrik 2020, pajisjet, kamionët, vinçat që duheshin për punimet.

Në datën 31,08.2020 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Gazmend Cela, nëndrejtor i NNP, Margarita Gjermëni ekonomiste në sektorin ujitje kullim NNP dhe Xhemal Hasko përgjegjës sektori ujitje kullim NNP hapën ofertën për tenderin, ku kishin konkurruar tre operatorë. BOE Avduli shpk dhe Bahas shpk; Hatoci shpk dhe Euro alb shpk.

Operatori me ofertën më të ulët ishte BOE Avduli shpk dhe Bahas shpk, por anëtarët zgjodhën Euroalb shpk me arsyen se dy kompanitë e tjera kishin mangësira në plotësimin e kërkesave.

Pas kësaj, dy kompanitë konkurruese ankimuan vendimmarrjen e KVO, ku u ngrit Komisioni për Shqyrtimin e Ankesës me anëtarë Ani Simoni me detyrë arkëtare në NNP, Andri Musho me detyrë specialist dhe Bektash Nexha specialist në NN.  Komisioni rrëzoi ankesën e dy kompanive duke lënë në fuqi vendimin e KVO.

Më datë 11.11.2020 Autoriteti Kontraktor NPP ka lidhur kontratë me Euro Alb shpk për kryerjen e punimeve në kanalin vaditës të dy fshatrave..

Bazuar në përgjimet telefonike, rezulton se Flamur Peqini ka biseduar me një person me emrin Beni, i cili rezulton si Arben Avduli, administrator i firmës Avdyli shpk . Avdyli ka ankimuar skualifikimin nga gara duke pretenduar se kompania fituese nuk i ka kapacitetet e duhura, por Peqini i është shprehur se aty ka një komision që ka marrë vendim dhe se do të mbeten miq edhe pas kësaj.

Rezulton se Flamur Peqini ka komunikuar edhe me Ibrahim Lamin, ku i thotë “ia rrëzuan atij, ia bëra gati ia kopsita të gjithën dhe nesër do t’ia nisi me postë”. Ndërkohë Ibrahim lami shprehet ” ishalla nuk e çon më andej ai”… më pas Ibrahimi i thotë “jam me shefin për kafe”.

Një bisedë mes Fatos Tushes dhe Ibrahim Lamit tregon se ata kanë njohje me njëri-tjetrin, ku thotë se Ibrahimi “ka pirë një kafe me B. se ai ka thënë që bëjeni mbledhjen me Fatosin dhe më pas Ibrahimi e ka përcjellë në parlament”.

Nga vëzhgimi rezulton se Tushe është takuar Ibrahim Lamin në Tiranë ku kanë biseduar për dy orë dhe më pas janë larguar. Në bisedën mes të dyve, Fatosi i thotë Ibrahimit që të gjejë një person dhe ta mbyllë çështjen e animimit të Avdyli shpk për punë tre katër ditësh.

Flamur Peqini komunikon përmes telefonit të shoferit të tij me Ibrahimin, ku i kërkon të ndërhyjë, ndërkohë që ky i fundit i thotë që do të flasë me shefin pasdite.

Bujar Murati dhe Ibrahim Lami flasin në lidhje me kontratën mes tyre, ku Murati i thotë: Mirë kusho pa merak fare, vulë dhe firmë shko tek zyra, materialet të gjitha në emrin tat i ke, kontratën do e bëjmë siç kemi rënë dakord dhe zjarr kusho”.

Dyshohet se punimet e kanalit kanë filluar në datën 20.12.2021 dhe jo në datën 19.12.2021 siç ishte lidhur kontrata.

Në bisedën e datës 18.01.2021 Flamuri i thotë Ibrahimit se “ikin ditët dhe nuk gjejmë numra protokolli dhe supervizori nuk është lidhur me inxhinierin. në bisedat e tjera, Flamuri thotë se nuk ika përfunduar kanali e puna duhet bërë xixë duke pasur parasysh se kanë ardhur ata të Spakut”.

Bujar Murati komunikon me shtetasen e quajtur Dori, e cila i thotë se ka firmosur në vend të një personi tjetër si drejtuese teknike.

Dori: E firmosa unë, ka vënë emrin e Zhanit si drejtuese teknike.

Bujari: Po Zhani është…

Dori: Unë firmosa por Zhanit si thashë fare.

Bujari: Varja mo çke me të.

Drejtuesja teknike e punimeve është Zhaneta Diamanti, e cila në fakt nuk ka firmosur fare në dokumente.

Nga kjo bisedë sipas gjykatës përforcohet dyshimi se Euroalb nuk ka kryer punimet e kanalit, por ato janë kryer nga Ibrahim Lami.

Në bisedat e tjera mes Ibrahimit dhe Flamurit, ky i fundit i thotë “do të hedhim prapë tendera vitin tjetër, këto porositë t’i bëj gati unë”.

Biznesmeni që mori të gjitha fitimet e tenderit për rehabilitimin kanalit ujitës në Kolonjë të Lushnjes, Ibrahim Lami kishte njohje me kryebashkiakun Fatos Tushe. Në një nga bisedat rezulton se Lami ka ndërhyrë që vajza e Fatos Tushes të marrë provimin për mjekësi.

Fatos Tushe: Si u gdhive, ça po bën.

Ibrahim Lami: Hë si u gdhive ti, ça bën.

Fatos Tushe: Unë nuk erdha dot se fola dhe me atë dhe  e lashë javës tjetër, por unë nesër do jemë në Tiranë se ka goca provimin dhe do jemë atje, se më morën që në mjes këta. Erjon nga raportimet, për këtë tërmetin se u ndje shumë këtu, dola t’u pi cigare.

Ibrahim Lami: E ngjova, e ngjova, në Lushnje ishte ajo.

Fatos Tushe: Ti ça bën.

Ibrahim Lami: Hiç o hoç ja piva një kafe me B…dhe tha bëjeni mbledhjen vetë se do flasë dhe me Fatosin.

Fatos Tushe: E mirë të jetë mirë, a vajti në parlament.

Ibrahim Lami: Unë do i them bëjë dhe kafen do ta jap pastaj.

Në bisedën e kryer nga Bujar Murati dhe Endrit Myrtaj, djali i Natasha Myrtj, mbikqyrëse e punimeve në Ndërmarrjen e Pasurive të Bashkisë Lushnje, i cili prezantohet si suopervizor i Braces që nënkupton Ibrahim Lamin, ku tregohet se punimet po kryhen nga ky i fundit. Gjatë bisedës Endriti njofton se ka sjellë disa letra për të firmosur lidhur me kanalin.

Alo

Si kalove jam Endriti, supervizori i Braçes.

Po çkemi

kam për të firmosur disa letra të braces të kanalit të Lushnjes përfundim pune.

Te zyrat, atje i ke robt.

Po zyrën ku e keni juve?

E kam këtu mbrapa…t’i firmosin ata të gjitha pa merak se është vula.

Më pas ka një komunikim të Fatos Tushes dhe Ibrahim Lamit.

Hë mo si ke qenë, nga shpia vetë

Hiç ja sa erdha në shpi ti ca bën.

Po po ca është kjo

Mirë kryetar kot të mora për qejf.

Do të nisja diçka ta shikoje njëherë, ai muhabeti që të bëra atëherë unë për Avdylajt. paska ardhur dikush nga SPAK dhe kërkuan dosjen ata.

Blerta Turku, juristja e Ndërmarrjes së Pasurive Publike në bashkinë, Lushnje komunikon me dikë ku i thotë që dosja është marrë dhe ata do të merren në pyetje.

Ua do na marrin në pyetje ata të SPAK, e di si jam bërë.

Ca thua ti për çfarë?

Për atë dosjen që morën, e di si jam bërë, se vetëm ne që kemi vendos kriteret do na pyesin.

Blerta më pas njofton Flamur Peqinin, ku e pyet nëse do duhet të firmosë shkresën e ardhur.

Hë Blerta

Drejtor, hë se tani po vij tek zyra unë, por ka ardhur një shkresë nga policia për të na pyetur mua Bardhin dhe Ilvën ta firmosim?

E mirë se do të vij unë tek zyra se këtu jam me kryetarin, mirë.

Në bisedën e datës 08.02.2021 Blerta konfirmon emrat që do të pyeten nga SPAKm ndërsa drejtori u thotë të mos diskutojnë për problemin me familjarët. Sipas Blertës për ta garat ka dalë Fatos Tushe.

Ne nuk jemi në hetim, jemi persona që mund të jemi në dijeni.

Nuk dihet për çfarë do t’ju pyesin.

Thanë mos kini merak mos e diskutoni me familjarët.

Kush tha kshu.

Dr dhe miku jot. Na kanë bërë 20 herë mbledhje. më tha a i tregove të fejuarit,, it hash normal ai është si pari.  I shpjegova korrupsion, shpërdorim detyre. Ajo tha si them se do bëhen merak. të mërkurën kam për të shkuar në inxhinjeri se neve na ka dalë Fatosi garant garant.

Pas nja hetimi 1 vjeçar nga SPAK, Tushe është arrestuar bashkë me 10 zyrtarë të tjerë në zyrat e ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Lushnjë.

Kryebashkiaku u shkarkua nga detyra një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë.

Top Channel