Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar ditën e sotme kreun e bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushen.

Ky vendim i botuar në Fletoren Zyrtare erdhi pas arrestimit nga SPAK bazuar në dyshimet se shpërdoroi detyrën së bashku me nëntë zyrtarë të tjerë të ndërmarrjes së pasurisë publike pranë pushtetit lokal.

Fatos Tushe u arrestua një ditë më parë nga SPAK për shpërdorim detyre në lidhje me një tender abuziv me vlerë 24 mln lekë për rehabilitimin e kanalit ujitës.

“Euro Alb”, është kompania e cila për gati 24 milionë lekë do të rehabilitonte kanalin vaditës në dy fshatra.

Hetimi nisi në korrik 2020 fillimisht për korrupsion dhe u finalizua me shpërdorim gjatë garës që favorizoi shoqërinë “Euro shpk”.

Gara u hap gjatë verës dhe rezulton se fituesi u shpall në tetor 2020, ndonëse u përfshinë edhe kompani të tjera që paraqitën ofertë më të ulët. SPAK ka dyshime se zyrtarët e ndërmarrjes duke nisur nga drejtuesi i saj Flamur Peqini shkelën barazinë e pjesëmarrjes në tendera dhe për këtë shkak gjykata aprovoi në mungesë 7 masa arresti dhe katër të tjera arrest shtëpiak.

Kryeministri Edi Rama nuk ofroi mbrojtje politike të zgjedhurit socialist të Lushnjes duke theksuar se duhet të dalë para drejtësisë pasi flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak.

“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve. Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”, është shprehur më parë Rama.

Botimi në Fletoren Zyrtare

Top Channel