Trafikantët, burgim përjetë/ Britania ashpërson rregullat e emigracionit, shkelen ligjet ndërkombëtare

07/07/2021 19:37

Britania ka ashpërsuar ligjet dhe rregullat e emigracionit duke shkaktuar polemika dhe kundërshtime jo të pakta.

Sipas Ministres së brendshme Priti Patel ligji i ri i emigracionit, “do të ndërpresë modelin e biznesit” të trafikanteve të qenieve njerëzore që lehtësojnë kalimet ilegale të emigrantëve nga kontinenti evropian drejt brigjeve britanike.

Sipas saj, ky ligj “adreson sistemin e dështuar të kërkimit të azilit”, ku Britania, “po ndërmerr masa më të ashpra të cilat kanë qenë të pamundura në të shkuarën për shkak të qenies deri më tani anëtar i Bashkimit Evropian”.

Sipas këtij ligji, për herë të parë mënyra se si një person që mbërrin në Britani, legalisht ose ilegalisht do ndikojë në pranimin e kërkesës për azil. Dënimet me burg do rriten për ata që hyjnë pa leje në Britani nga 6 muaj në katër vjet, ndërkohë do futet dënimi me burgim të përjetshëm për trafikantët e dënuar të qenieve njerëzore. Ndër të tjera një fokus të veçantë, ligji i kushton bërjes së pavlefshme të kërkesave për azil për ata që kanë kaluar përmes vendeve të sigurta evropiane. Por Ministrja e brendshme hodhi poshtë sugjerimin se ky angazhim varet nga marrëveshjet e Britanisë me vende si Franca apo vende te tjera, të cilat ka gjasa të mos jenë dhe kaq bashkëpunuese me Britaninë.

Ligji ka shkaktuar reagime nga opozita dhe grupet e avokatëve të emigracionit. Opozita e ka cilësuar ligjin provë e dështimit të qeverisë konservatore të qendrës së djathtë gjatë 11 vjetëve të saj në pushtet.
Efikasiteti i rregullave të reja pritet të shihet pasi nuk është hera e parë që qeveri të ndryshme britanike kanë ashpërsuar ligjet dhe rregullat e emigracionit edhe në të shkuarën.

Autoritetet britanike të ligjzbatimit kanë shkatërruar me sukses vitet e fundit disa grupe shqiptare të trafikimit të qenieve njerëzore.

Sa i përket shqiptarëve që mbërrijnë në Britani së fundmi, shumica e atyre që mbërrijnë ilegalisht nuk kërkojnë azil dhe nuk paraqiten pranë autoriteteve të emigracionit por trafikohen ne Britania nga krimi i organizuara për të punuar nëpër fermat e kanabisit, ku qëndrojnë aq sa qendrojnë dhe fitojnë sa fitojnë për tu kapur gjithnjë e më shumë nga policia dhe vuajnë dënimet respektive, ku pas vuajtjes së dënimeve riatdhesohen në vendin e origjinës, edhe pse disa syresh sërish rikthehen ilegalisht në Britani.

Top Channel