Tirana, kryeqyteti europian i rinisë/ Veliaj: Mijëra të rinj nga i gjithë kontinenti do të vijnë në Shqipëri

07/07/2021 15:23

Në vitin 2022 Tirana do të marrë titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë – një vlerësim, i cili do të sjellë në qytetin tonë mijëra të rinj nga e gjithë Europa, për të marrë pjesë në mbi një mijë aktivitete rinore.

Me këtë rast, në mjediset e amfiteatrit pranë Universitetit të Arteve, u zhvillua konferenca e donatorëve për Tirana Youth Capital, Kryebashkiaku Veliaj vuri theksin te rëndësia e këtij eventi, që nuk është vetëm për të festuar dhe për t’u argëtuar, por për të krijuar një lidhje të rëndësishme mes të rinjve nga e gjithë bota.

“Edhe për pak muaj Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë. Do të jetë viti më fantastik për të rinjtë, jo vetëm të Shqipërisë, por do të prodhojmë vitin më energjik dhe më frymëzues edhe për të rinjtë e Europës. E shoh këtë si një besëlidhje të madhe të djemve e vajzave të Europës moderne”,

Veliaj ftoi të gjithë të pranishmit që të japin sa më shumë ide dhe të ftojnë sa më shumë të rinj të talentuar nga vendet e tyre që të bëhen pjesë e këtij eventi.

“Ne do të kemi vitin tjetër edhe Dua Lipën edhe Rita Orën, e në qoftë se ka sugjerime të tjera, jeni të mirëpritur të na i thoni. Do ishte gabim nëse ky do të trajtohej si një vit feste dhe ahengu sepse nuk është vetëm i tillë. Ne duam edhe të reflektojmë, të krijojmë lidhje, të krijojmë projekte që do t’i vazhdojmë përtej vitit 2022, të cilat mund të kthehen në marrëdhënie afatgjata”

Përfaqësuesi i BE-së, , u shpreh se fuqizimi i të rinjve është prioritet i Delegacionit Evropian dhe ky titull është një çmim prestigjoz për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, rajonit dhe Evropës, sepse është fituar nga vetë ata.

Top Channel