Nju Jork, gjendje e jashtëzakonshme: “Më shumë vdekje nga armët, sesa nga Covid”!

07/07/2021 15:33

Nju Jorku u bë shteti i parë amerikan që shpalli gjendjen e jashtëzakonshme nga dhuna në rritje e armëve. Mbi 50 sulme me armë ndodhën vetëm gjatë fundjavës në këtë shtet, tha guvernatori Andrew Cuomo teksa nënshkruante urdhrin ekzekutiv ku dhuna e armëve përshkruhej si “krizë e shëndetit publik”.

Kjo është një emergjencë, dua që njerëzit ta kuptojnë një gjë të tillë. Dhe dua që ata t`i përgjigjen kësaj situate për atë që është, sepse ndodhemi përpara një problemi të madh. Ndaj po bëhemi shteti i parë amerikan që shpall gjendjen e jashtëzakonshme nga dhuna e armëve.

Urdhri i Cuomos do të kanalizojë 138.7 milionë dollarë në programet e ndërhyrjes dhe parandalimit të kësaj dhune. Sipas shtypit vendas, ditët e fundit gati 200 amerikanë kanë humbur jetën nga të shtënat  me armë zjarri. Në muajin mars, Byroja Federale e Hetimeve, FBI, publikoi statistikat e 2020-tës të cilat tregonin një rritje të vrasjeve me 25 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Presidenti Joe Biden paraqiti në fund të qershorit strategjinë e Shtëpisë së Bardhë kundër dhunës me armë, ku përfshiheshin dhe masa kundër tregtarëve që shkelin rregullat. Cuomo thotë se 74 për qind e armëve të përdorura në qytetin e New Yorkut, janë blerë jashtë kufijve.

Top Channel