Foli në një emision televiziv, qëllohet me plumb në kokë gazetari holandez

07/07/2021 14:40

Vetëm pak pasi foli në një emision televiziv, gazetari i njohur investigativ holandez Peter R de Vries është qëlluar në rrugë me plumb në kokë dhe ndodhet në spital, në gjendje kritike për jetën.

Një i panjohur sipas dëshmitarëve okularë, ka shtënë disa herë mbi të. Tre persona kanë përfunduar në pranga për ngjarjen e rëndë. Për zbardhjen e këtij sulmi me armë është ngritur dhe një komision i posacëm. Kryetarja e bashkisë së Amsterdamit, Femke Halsema, tha se gazetari “po lufton për jetën e tij”, ndërsa sulmin e cilësoi si “mizor dhe të pashpirt”.

“Peter R. de Vries është një hero kombëtar për të gjithë ne, një gazetar i rrallë dhe trim që kërkon pa u lodhur drejtësinë, plotësisht i pavarur dhe një shpirt i lirë. Ata i ka dalë në krah njerëzve në nevojë, mbështeti prindërit e një fëmije të vrarë dhe e ka ngritur gjithmonë zërin për personat e dënuar padrejtësisht”.

Ende nuk është bërë e ditur, se pse u qëllua me plumba reporteri i njohur i kronikës së zezë. Gazetari është aktualisht edhe person i besuar i një dëshmitari kryesor në një proces të madh kundër krimit të organizuar. Peter R. de Vris është i njohur në botë për raportimet spektakolare mbi krimet.Në të kaluarën, atij i është dhënë mbrojtje nga policia, pasi ka marrë kërcënime, për shkak të përfshirjes në çështje penale si gazetar investigativ.

Top Channel