Qeveria ka nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e Pikës Fillestare Dalëse Shqiptare të gazit në stacionin e gazsjellësit Trans Adriatik në Fier, një projekt që i hap rrugë zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor.
Për kryeministrin Edi Rama zhvillimi i këtij investimi madhor do të ketë një impakt të konsiderueshëm në ekonomi dhe do ta kthejë vendin në një fuqi eksportuese të energjisë.
“Edhe procesi i nisur i ndërveprimit, për të siguruar një bashkëpunim të qëndrueshëm me një kompani të madhe amerikane, siç është ExxonMobil, së bashku me Açelerator Energy, është një tregues kuptimplotë i faktit se TAP-i nuk është thjesht një rrugë kalimi e gazit për në anën tjetër të Adriatikut, por është një burim i sigurt i një zhvillimi ekonomik e social transformues për vendin në dekadën ku sapo kemi hyrë.”
Ndërkohë, vijon puna edhe për tubacionin Fier-Vlorë që do të lidhë gazsjellësin me TEC-in e Vlorës, ku është kompania amerikane Exxon Mobile ajo që ka marrë përsipër vënien në punë të termocentralit.
Gazsjellësi TAP është një nga investimet më të mëdha të huaja në vend me një vlerë prej 1.5 miliardë euro dhe shihet si një mundësi e favorshme për të përfshirë Shqipërinë në hartë energjetike të Europës si dhe për të diversifikuar burimet e energjisë.
Top Channel