Memli Krasniqi: PDK-ja do të hapet dhe reformohet për t’u bërë adresa e parë politike në Kosovë

03/07/2021 13:29

Kandidati për kryetar të PDK-së, Memli Krasniqi në prezantimin e platformës së tij politike para delegatëve të Konventës së dhjetë zgjedhore ka thënë se PDK-ja është shtëpi e çlirimtarëve, intelektualeve, patriotëve e vizionarëve dhe do ta nisë një kapitull të ri siç i ka hije, duke respektuar pafundësisht të kaluarën, të tashmen dhe kontributin e secilit.

Sipas tij, PDK-ja nuk do të ndalet asnjëherë, edhe pse nuk është aspak e lehtë të trasohet tutje rruga e Hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit.

Ai ka paralajmëruar hapje të partisë dhe reforma si një prej shtyllave kryesore me të cilat ka synim të rrugëtoj në krye të PDK-së.

Ky është fjalimi i tij i plotë:

Të dashur delegatë të Konventës së Dhjetë të Partisë Demokratike të Kosovës,

Sot, jam këtu para jush, shumë i nderuar dhe falënderues për mundësinë që t’ju drejtohem, dhe i ndërgjegjshëm për barrën e përgjegjësisë që e kërkoj ta marr.

Ndjej përgjegjësi dhe emocion të madh të qëndroj këtu sot para shumë prej themeluesve të familjes sonë politike, kontributi qytetar e kombëtar i të cilëve është vështirë i matshëm. Njejtë ndjehem edhe para të gjithë juve që jeni bashkuar në periudha të ndryshme me partinë tonë, e sidomos para të rejave dhe të rinjve që janë e tashmja dhe e ardhmja e PDK-së.

Kjo për çfarë jemi mbledhur në këtë sallë, nuk ka qenë zgjidhje e jona.

Është imponim i asaj që ka ndodhur nëntorin e kaluar, kur dy liderëve tanë padrejtësisht ua ndalën aktivitetin politik.

Por, ne nuk u ndalëm dhe nuk do të ndalemi asnjëherë, edhe pse nuk është aspak e lehtë të trasohet tutje rruga e Hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit.

Një rrugë kjo që nisi kur ata ishin shumë të rinj në luftën për çlirimin e vendit, e të rinj në themelimin dhe udhëheqjen e partisë sonë për ndërtimin e shtetit.

Ua di këtë ndjenjë, ndonëse nga pesha shumë herë më e vogël, se çfarë do të thotë të preokupohesh me politikën e vendit tënd, sepse në këtë moshë, sado që sfidat janë të mëdha, edhe motivi është i madh.

Kur në vitin 2004 iu bashkova PDK-së, unë isha 24 vjeç. Dy vjet më vonë, mora besimin për të udhëhequr Rininë Demokratike, dhe tutje gjithashtu m’u krijua mundësia e m’u dha besimi për të marrë rol të rëndësishëm në shërbim të vendit, brenda partisë dhe në institucione shtetërore.

Kam pas nderin dhe privilegjin e jetës sime që të jem pjesë e fitoreve të mëdha të PDK-së, por edhe e periudhave të vështira në qeverisje e në opozitë.

Por, ky moment – nuk ka qenë asnjëherë ambicia ime, që të dal para jush si kandidat për t’i prirë PDK-së.

Megjithatë, ky moment ka ardhur dhe është shndërruar në përgjegjësi që nuk ka qenë as e drejtë e as e mundur t’i iket.

E këtu ku jemi sot, e ndjej për obligim t’jua them fillimisht dy gjëra.

Unë nuk po kërkoj thjesht një mandat. Por, po e kërkoj besimin tuaj.

Nuk po kërkoj të bëhem thjeshtë udhëheqësi i juaj. Por, i pari në mesin e të barabartëve.

Nëse e fitoj besimin tuaj, për PDK-në, bashkë me ju të gjithë, do të bëj gjithçka që duhet – që ajo të rikthehet aty ku takon. Si partia më e fuqishme dhe me vizionin më të qartë për vendin. Si adresa e parë politike në Kosovë.

Kjo shtëpi e çlirimtarëve, intelektualeve, patriotëve e vizionarëve, do ta nisë një kapitull të ri siç i ka hije, duke respektuar pafundësisht të kaluarën, të tashmen dhe kontributin e secilit. Por, gjithmonë duke shikuar kah e ardhmja.

Të nderuar të pranishëm,
Në mbi dy dekada aktivitet politik të PDK-së, kurrë nuk kemi qenë më të goditur politikisht se sot.

Ish Kryetari ynë, Presidenti Hashim Thaçi, një njeri që ka shënuar epokë historike, me të cilin kemi rrugëtuar dhe jemi krenuar, si dhe Kryetari ynë Kadri Veseli, një njeri që e ka mbajtur atë epokë si mision, me të cilin kemi qëndruar e jemi përpjekur bashkë, sot padrejtësisht po përballen me një proces gjyqësor mbi pretendime të pabaza.

Nuk bëhet fjalë vetëm për dy liderë të PDK-së, por bëhet fjalë edhe për dy liderë të Kosovës.

Sepse, le të thotë kush çka të dojë, por pa këta liderë, nuk do të kishte shtet të Kosovës, as në kohën kur kemi dashur ta kemi, as si kemi dashur ta kemi, e as si duam ta kemi në të ardhmen.

Sepse, ndryshimi i madh politik, social, e ekonomik, çlirimi dhe pavarësia jonë, janë të lidhura edhe me emrin e tyre, e nuk do të zgjidhen kurrë.

Sepse, këtë e ka vulosur historia e UÇK-së. Historia e Pavarësisë. Historia e Shtet-ndërtimit. E historinë e Kosovës, siç kanë thënë edhe Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, nuk mund ta rishkruajë askush.

Prandaj, jo vetëm që jemi lënduar si parti politike, por jemi lënduar edhe si vetëdije politike, edhe si vetëdije kombëtare, edhe si vetëdije shtetërore.

Megjithatë, edhe vetë shembulli i tyre na edukon që të besojmë në drejtësi të paanshme, dhe të presim lirimin e tyre sa më parë, sepse jo vetëm që na duhen neve dhe familjeve të tyre, po i duhen shtetit, shoqërisë dhe mbarë Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,
Nuk ka asnjë dyshim, se një prej faktorëve që na ka mbajtur së bashku dhe na ka inkurajuar që të mos ndalemi, pas nëntorit të kaluar, kur PDK u godit rëndë, ka qenë pjekuria politike e profës tonë, Kryetarit në detyrë, z. Enver Hoxhaj.

Ai meriton respektin tonë të thellë e të pamohueshëm për peshën që ka mbajtur mbi supe në këtë periudhë kaq të vështirë.

Meriton respektin tonë edhe për atë çfarë përfaqëson politikisht për PDK-në.

Një intelektual i përmasave evropiane. Një politikan i profilit të lartë. Një qeveritar i suksesshëm dhe një mik nga i cili kemi mësuar gjithmonë dhe vazhdojmë të mësojmë.

Nëse ka diçka për të cilën unë do t’ju kërkoja një duartrokitje të fortë, do ishte pikërisht për të nderuar profesorin Hoxhaj, i cili në momentet më të rënda – u doli përballë vështirësive dhe na inspiroi të qëndrojmë së bashku në sfida.

Respekt të pafund, profesor Hoxhaj.

E kishim vërtet për nder të jemi pas teje në këtë periudhë aspak të lehtë.

Të nderuar të pranishëm,
Unë qëndroj si kandidat para jush, duke besuar në ju, e duke kërkuar besimin tuaj.

Por, para se të vijmë aty, dua të përgjigjem në disa pyetje që na preokupojnë të gjithëve.

Kush është PDK-ja dhe çfarë PDK-je duam?

Partia Demokratike e Kosovës, në ADN-në dhe origjinën e saj e ka Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kauzën e saj të drejtë për liri e pavarësi.

Është krenari. Është dinjitet. Është identitet me të cilin jemi krenuar e duhet të krenohemi gjithmonë.

Partia Demokratike e Kosovës është parti e të gjithë njerëzve të Kosovës. E çlirimtarëve, veteranëve, mësuesve, profesorëve, mjekëve, intelektualëve, artistëve, sportistëve.

Është parti e grave dhe burrave, e të rejave e të rinjve.

E të gjithëve që punojnë dhe jetojnë ndershëm nga djersa dhe mundi i tyre.

Është parti që na takon të gjithëve, që vepron për të gjithë, e të gjithë së bashku brenda PDK-së punojmë për Kosovën që e kemi synuar e synojmë ta kemi.

Partia Demokratike e Kosovës është parti e ideve, kauzave dhe projekteve të mëdha dhe që mundëson realizimin e tyre.

Kjo ka qenë, është dhe do mbetet e tillë, si para meje, si me mua, si pas meje, pavarësisht se a jemi në pushtet a në opozitë, a jemi para zgjedhjeve a pas tyre.

Partia Demokratike e Kosovës është partia që ka bërë transformimin më të madh në historinë e Kosovës.

Bash asgjë e qëndrueshme, e madhe dhe e rëndësishme nuk ka ndodhur pa PDK-në.

Nëse ka pasur zhvillim, investim, arsim, e rritje të mirëqenies, kjo ka qenë periudha jonë në qeverisje nga 2008 deri në 2017.

Ky është rrëfimi ynë i vërtetë, dhe këtë e dinë qytetarët.

Nuk do të lejojmë që këtë rrëfim ta shtrembërojnë dhe ta errësojnë të tjerët, sepse është i qartë si drita. I matshëm, i prekshëm, real dhe diçka që e ka përjetuar dhe prekur secili.

Sot, për fat të keq, të gjitha këto arritje po rrezikohen me qëllim të keq, nga mentaliteti mohues dhe mosmirënjohjes i qeverisjes aktuale, duke e rrezikuar edhe vetë perspektivën e qytetarit dhe shtetit të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,
Se si duhet të operojë sot PDK, mbi këtë situatë politike, duhet të flasim hapur për disa gjëra, e të mendojmë nga e ardhmja.Ne sot jemi opozitë.

Kanë qenë edhe gabimet tona, që i kanë kontribuuar kësaj situate.

Ndoshta s’kemi mundur ta lexojmë krejt saktë disponimin e votuesve, prandaj edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nuk kemi marrë mjaftueshëm mbështetjen e tyre.

Reflektimi është i domosdoshëm. Nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje njejtë.

Në këtë pikë, besoj se pajtohemi të gjithë.

Kështu si jemi sot, nuk mjafton për t’u rikthyer. Por, ne qëllimin e kemi për t’u rikthyer.

Prandaj, është e nevojshme që të çlirojmë gjithë potencialin tonë të brendshëm, por edhe të hapemi. Duhet të hapemi. Duhet të shohim se cila është demografia politike e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që të rikthejmë besimin e tyre.

Na duhet ta rikthejmë mbështetjen e grave dhe të rinjve, që nuk e kemi si në të kaluarën.

Por, nuk kthehet mbështetja e tyre, dhe e asnjë kategorie tjetër shoqërore, nëse ne nuk jemi afër tyre, t’ua kuptojmë ambiciet, nevojat, pritjet, dhe zgjidhjet që u duhen.

Duket si diçka e vështirë, ama e pamundura për PDK-në nuk ekziston.

Veç na duhet unitet, vendosmëri e përkushtim që së bashku ta nisim një agjendë të tillë.

Prandaj, duhet të hapemi.

Dhe kur po flas për të rinjtë, nuk po flas vetëm për moshën.

Po flas për një kombinim gjeneratash, që më së afërti e kupton se çfarë drejtimi duhet të marrë PDK-ja, në mënyrë që të jetë adresa e parë për secilin qytetar.

Dhe hapja jonë është një prej shtyllave kryesore me të cilat unë mendoj të rrugëtoj në krye të PDK-së.

Së dyti, përveç ndryshimeve të nevojshme në strukturën e përfaqësimit të shoqërisë sonë, ne duhet të profilizohemi edhe në rrafshin ideor.

Qytetarët e Kosovës, mbështetësit dhe votuesit tanë, duhet ta mësojnë dhe kuptojnë drejt se kur të flasin për partinë e tyre, PDK-në, po flasin për një parti që angazhohet për mundësi të reja dhe të barabarta.

Për hapjen e mundësive për individin. Për familjen. Për Republikën.

Për zhvillimin ekonomik që administrohet nga qytetarët për interesin e tyre.

Për një trup politik shtetëror ku pushteti është i kufizuar, i ndarë dhe i kontrolluar nga ligji.

Ku barazia para ligjit është morali që i mban në këmbë institucionet tona.

Një parti që, mbi të gjitha, çmon vlerat dhe dinjitetin e njeriut. Që beson në barazinë e shanseve dhe lirinë e zgjedhjes.

Që angazhohet për një shtet që shërben e nuk shërbehet.

Për një shtet të drejtë – ku ligji është mundësi, e jo vetëm kufizim.

Ku zyrtari e qytetari u nënshtrohen rregullave të njëjta, e ku privilegji i pamerituar nuk ka vend.

Ku asnjë rajon, as qytet, as fshat, as lagje – nuk mbetet mbrapa nga mundësitë që krijon shoqëria jonë.

Dhe ku qytetarët, të rejat dhe të rinjtë, gratë dhe burrat, jo vetëm që kanë mundësi të zgjedhin e të zhvillojnë potencialin e tyre, por edhe të jetojnë shëndetshëm dhe të kenë jetë cilësore.

Për t’u rikthyer, nuk duhet të harrojmë kush jemi, por të transformohemi në atë që duam të bëhemi, në atë që do të na rikthejë si bindje politike te qytetarët e Kosovës.

Për t’i arritur këto, unë jam i vetëdijshëm se kemi shumë punë.

Por, unë besoj në PDK-në dhe në secilin prej jush.

Në ata që janë, e ata që do vijnë tani e tutje për të ndarë rrugëtimin bashkë me ne, drejt fitores.

Sot na duhet një front me i gjerë për betejën politike.

Nuk është koha që disa prej nesh t’i kemi nga dy e tri pozicione. Aty ku jemi, duhet ta japim maksimumin, dhe duke u bërë më shumë –  arrijmë suksese më shumë.

Na duhet të koncentrohemi që të bëjmë më të mirën, aty ku jemi, pa e pasur të domosdoshme që të jemi gjithkund.

Beteja kryesore sot është në Kuvendin e Kosovës. Andaj, në bindjet e mia, në vizionin tim, deputetët duhet ta kenë tërë vëmendjen dhe angazhimin e tyre vetëm në Kuvend, derisa Kryesia duhet të jetë trup ekzekutiv i përbërë nga zyrtarët e partisë që nuk kanë angazhime të tjera institucionale në këtë kohë.

Unë aspiroj ta ndërtoj një Kryesi të re, jo vetëm me njerëz të rinj, por edhe me ata që organikisht janë rritur në PDK.

Me vajza e djem të PDK-së, me të cilët kemi filluar shumë kohë më parë, e që sot janë gra dhe burra të gatshëm për të marrë përgjegjësi udhëheqëse.

Duhet ta formojmë edhe Kabinetin për Qeverisje të Mirë, për ta formësuar vizionin tonë për qeverisjen e ardhshme për një Kosovë më të mirë.

Vetëm duke e çliruar dhe mobilizuar gjithë potencialin që e kemi dhe duke i shtuar atij vlerë me njerëz që do na bashkohen, ne mund të rikthejmë PDK-në tek fitoret e mëdha.

Vetëm kështu dhe të gjithë së bashku do ta vëmë në lëvizje këtë projekt të ri politik, aq të nevojshëm për ne, por edhe për Kosovën.

Nëse e marr besimin tuaj, zotohem se nuk do të ju lëndoj e as anashkaloj, me qeëllim apo pa të. Unë besoj në meritokraci dhe në konkurrencë edhe brenda nesh.

Politika është e mirë kur ndryshon shoqërinë dhe jetërat e qytetarëve për të mirë. Por, shpesh ajo i ndryshon edhe politikanët. Unë do të mbetem i njejti. Do të vazhdoj të jem i hapur me secilin dhe bashkëpunues për të gjithe. Do të përpiqem fort të jem familjari i përkushtuar, shoku besnik dhe bashkëpunëtori korrekt. Për këtë e pres edhe ndihmën tuaj, në këtë rrugëtim të përbashkët.

Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë, së bashku për PDK-në e për Kosovën.

Ju falemnderit!

FOTO GALERI
2/6

Top Channel