Rama: Të mos presim BE/ Liderët e Ballkanit mblidhen në Samitin e Prespës

02/07/2021 15:08

Kryeministri Edi Rama, nga Ohri, aty ku po merr pjesë në Forumin e Prespës, është ndalur sërish tek vendimi i fundit i Këshillit Europian për të mos i hapur negociatat.

Gjatë fjalës së tij, Rama shprehu zhgënjimin me Bashkimin Europian, teksa u shpreh se tani nuk e ndien më fare pritjen e një përgjigjeje nga ana e BE.

“Në masë të madhe kjo është ajo që na ndodh, por të jem i sinqertë me ju e më gjithë të tjerët tanimë nuk e ndiej më atë, fare, e jam tepër serioz në këtë drejtim s’e them këtë sa për të thënë diçka, por me të vërtetë, më nuk e ndiej fare, nuk e pres e nuk e ndiej atë që e ndieja paraprakisht kur filloi”, u shpreh kreu i vendit.

Kreu i qeverisë shqiptare, i’u drejtua liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i’u thënë se me rëndësi është vijimi i bashkëpunimit për të krijuar lehtësi në qarkullimin e qytetarëve në pikat kufitare dhe lëvizjes së lirë të mallrave.

Rama theksoi se për ta realizuar këtë gjë, “nuk kemi pse të presim BE-në”.

“T’i falënderohemi Zotit që nga njera anë Evropa s’mund të na tregojë se ç’mund të bëjmë në këtë rajon e nga ana tjetër ne mundemi përmes veprimeve tona tua lehtësojmë jetën të gjithë njerëzve që jetojnë këtu. Pse duhet të presim të bëhemi vende anëtare që të bëjmë tregti e ajo të rrjedhë pa barriera, pa pritje mijëra vjet, pse duhet të presim BE që të bëhemi pjesë e BE që të kemi lëvizje të lirë të njerëzve me letër njoftime të kemi qarkullim të kapitalit e mallrave, të kemi sistem në sportelet e kufijve që ti shndërrojmë kufijtë të hapur dhe të lira. Kuptohet që këtë mund ta bëjmë edhe vetë. Duhet të vijojmë të lëvizim në këtë drejtim”, tha Rama.

Top Channel