Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike në plazhe/ Nën hetim 13 administratorë lokalesh në Darzezë

01/07/2021 09:57

13 administratorë subjektesh janë vënë nën hetim për veprën penale të “Pushtimit të tokës”, në zonën e Semanit.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të fazës së dytë të operacionit “Bregdeti ynë”, gjatë ditës së djeshme në plazhin e Semanit dhe Darzezës janë liruar 13 parcela bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlongë e çadra.

Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës janë 2 grupe FNSH, shërbime të Komisariatit të Policisë Fier dhe Divjakë, Policia Bashkiake, Inspektorati i Territorit të kontrollit dhe zyra e Tatimeve të bashkisë Fier, gjatë verifikimeve dhe kontrolleve të ushtruara ditën e djeshme në territorin e plazhit në Seman, Darzezë dhe Divjakë, evidentuan 13 subjekte pa leje, 5 në Darzezë dhe 8 në Seman, ku janë hequr 799 shezlongë dhe 398 çadra.

Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u proceduan penalisht administratorët e lokaleve, shtetasit: D. S., S. B., T. Ç., A. V., K. S., D. S., V. P., I. B., Th. S., O. T., E. C., P. Z., L. T., për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.
Operacioni do vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Top Channel