Tjetër marrëveshje me Pfizer për 23,400 doza vaksine, Manastirliu apel qytetarëve: Vaksinohuni, jemi në alert nga varianti Delta

01/07/2021 12:03

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend ka bërë me dije sigurimin e 23,400 dozave të tjera vaksinash nga kompania Pfizer, pjesë e marrëveshjes që qeveria shqiptare ka me instrumentin COVAX.

“Sjellim sot në Kuvend për miratim një tjetër marrëveshje për vaksinat Pfizer, pjesë e marrëveshjes kuadër që qeveria shqiptare ka me instrumentin Covax, nga i cili do të sigurojmë rreth 1,140,000 doza vaksinash. Nëpërmjet instrumentit COVAX tashmë është bërë e mundur mbërritja e 120 mijë dozave AstaraZeneca, me marrëveshjen sipas dritares së hapur nga ky instrument dhe marrëveshja e radhës nga ky instrument lidhet me kompaninë  Pfizer, nga e cila do të sigurojmë në këtë fazë, 23,400 doza vaksine Pfizer Bion-Tech, të cilat pritet të vijnë së shpejti në Shqipëri. Kjo është një tjetër kontratë, përpos kontratës direkte që qeveria shqiptare ka miratuar me Pfizer për rreth 500 mijë doza vaksine, lëvrimi I të cilave ka filluar që në muajin shkurt”, deklaroi Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë foli për lehtësimin e masave anticovid, por ngriti alertin nga variant Delta, duke bërë thirrje për vigjilencë.

 “Ne do të vijojmë, siç kemi bërë nga dita e pare e epidemisë në vend, të ndjekim rekomandimet e ekspertëve. Po vijojmë më lehtësimin gradual të masave antiCOVID. Nga sot zgjatet ora policore deri në orën 24:00 si edhe lejohet pjesëmarrja e publikut, spektatorëve apo tifozëve në aktivitetet sportive, sociale, kulturore apo konferencat. Por ka një alert që ekspertët tanë referojnë dhe doja ta sillja në vëmendjen tuaj dhe të gjithë qytetarëve: Është alerti për shkak të variantit Delta (Delta Plus), i cili është identifikuar edhe në vendet e rajonit dhe nga OBSH vlerësohet si variant shqetësues për impaktin në shëndetin publik dhe për këtë arsye kërkohet kujdes maksimal”, theksoi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se gjatë stinës së verës do të kemi një fushatë intensive të vaksinimit masiv, teksa ka bërë me dije se gjatë muajit korrik do të ketë ditë të tjera të hapura për vaksinimin.

“Gjatë sezonit të verës do të vijojmë me vaksinimin në komunitet, me vaksinimin në shtëpi për të pamundurit, për të moshuarit kryesisht, për ta shfrytëzuar sa më mirë këtë periudhë për të rritur mbrojtjen nga Covid19. Është e rëndësishme që gjatë këtij procesi të kemi një mbulesë të mirë vaksinale të grupmoshave. Ne do të ulim fashën dhe do të vijojmë gjithashtu me ditët e hapura të vaksinimit edhe në muajin korrik dhe gusht. Kemi në fokus vaksinimin, pasi është e vetmja armë jetëshpëtuese. Ndaj, të gjithë atyre që u jepet mundësia për t’u vaksinuar, ta shfrytëzojnë dhe të mos ketë asnjë neglizhencë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se në dy ditët e hapura të vaksinimit masiv +18 vjeç janë realizuar rreth 25 mijë vaksinime, ku mbi 17 mijë qytetarë janë vaksinuar për herë të parë. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 968,034 doza të vaksinës ndaj COVID19, ndërsa 403,504 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.

 

Top Channel