S’do të jetë në shtator, Hajdari: Çlirojeni vendin nga ky mallkim 30 vjeçar dhe jepini shqiptarëve atë që meritojnë

01/07/2021 13:10

Rudina Hajdari, e cila nuk do të jetë më deputete në legjislaturën e ardhshme kishte një thirrje për të gjithë politikanët që të çojnë vendin përpara.

Ajo i kërkoi atyre që të mos shikojnë partinë, por të mendojnë për vendin, për t’i dhënë fund mallkimit 30 vjeçar dhe t’u jepet shqiptarëve atë që meritojnë.

” Shqipëria ke nevojë për më shumë demokraci, për më shumë fuqi në vendimmarrje. Sot është e kundërta, modeli i suksesit që sot ecën përpara është horri me makinën e shtrenjtë, apo modeli i servilizmit, më i përbuzur që shqiptarët nuk duhet ta përfaqësojnë. Ne duhet të shkojmë përtej këtyre modeleve të mbrapshta që vijnë në këtë sallë për të përfituar nga taksat dhe nuk bëjnë asgjë për vendin. Kemi 30 vite me këta njerëz që e kanë çuar Shqipërinë në këtë maskaradë ku nuk bëhet asgjë për përparimin. Sot është një thirrje e sinqertë, çlirojeni vendin nga ky mallkim 30 vjeçar dhe jepini shqiptarëve atë që meritojnë duke ia lënë atyre në dorë që të zgjedhin deputetët. I kemi të gjitha poitencialt për ta zhvilluar këtë vend dhe zhvillimi duhet të ecë përpara. Mos shikoni më partitë, por vendosni vendin në vend të parë dhe jepini shqiptarëve demokracinë e munguar. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë, të majtë e të djathtë e të kujdesemi që vendi të ecë përpara dhe jo partia, të dalim nga tuneli i tejzgjatur i tranzicionit”, tha Hajdari në foltoren e Kuvendit.

Top Channel