Nga sot, hiqen tarifat Roaming për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, të cilët nuk do të paguajnë më asnjë shtesë për shërbimet e ofruara në kuadër të telekomunikimit, siç janë telefonatat.

Kjo është rrjedhojë e një një marrëveshjeje për Roaming mes vendeve të rajonit Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, faza e parë e zbatimit të të cilës nisi në vitin 2019, ku ka pasur një ulje të çmimeve deri në 80 për qind, ndërsa faza e dytë, apo eliminimi i tërësishëm i tarifave, ishte paralajmëruar se do të zbatohej në 1 korrik 2021.

Tarifa e Roaming-ut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një shtet tjetër, nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Në mesin e muajit të kaluar, ambasadori i BE në vendin tonë, Luigi Soreca, u kujtoi qytetarëve shqiptarë vendimin nga i cili do përfitojnë disa shtete, duke shkruar në Twitter se: “Duhet të keni vetëm një gjë në mendje: të keni plot baterinë e telefonit tuaj”, e duke kujtuar më tej ky projekt është financuar nga BE.

Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimin mes qytetarëve. Në muajin prill të 2018 në Samitin e parë Digjital të mbajtur në Shkup, u paralajmërua ulja e çmimeve të roamingut mes vendeve të Ballkanit.

Top Channel