2 prej viktimave të konfliktit në Velipojë, Kujtim Ferracaku dhe punonjësi 20-vjeçar Musaen Zeneli

Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën “Arrest në burg” pa afat për Hasan Ferracakun dhe Elmilind Dylin, dy personat që mbetën të  plagosur në masakrën për hapësirën e plazhit që shkaktoi katër të vdekur.

Seanca është mbajtur në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së vështirë shëndetësore të të plagosurve.

Burime bëjnë me dije se prokuroria kërkoi për të dy arrest me burg, ndërsa pala mbrojtëse kërkoi masë më të butë për 17-vjeçarin Elmilind Dyli, për shkak të moshës, por nuk u pranua nga gjykata.

Sipas burimeve, në seancë dy të plagosurit nuk kanë dhënë deklarime.

Organi i akuzës u përfaqësua nga prokurorja Shqiponja Milla dhe  gjyqtari Besmir Stroka.

Akuzat ndaj dy të arrestuarve janë “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.

Vendi ynë u trondit mbrëmjen e 26 qershorit, ku konflikti për hapësirën e plazhit mes dy familjeve pronare hotelesh në Velipojë, Ferracakëve dhe Gocajve solli vrasjen e 4 personave.

Viktimat e ngjarjes janë biznesmeni i njohur i zonës, Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit  Xhovani Gocaj e Edmond Gocaj dhe punonjësi i hotelit, Myzerim Zeneli, i cili ishte në ditën e parë të punës.

FOTO GALERI
1/10
Pamje nga Velipoja ku u vranë 4 persona pas konfliktit

Top Channel