“Magazinë droge” në Korçë/ Policia arreston pronarin, përdoruesi i vë flakën kur shkon kontrolli

01/07/2021 14:35
Foto Ilustruese

Një magazinë droge, e përshtatur me të gjitha kushtet për rritjen e bimëve narkotike është zbuluar në Korçë.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se si rezultat ka rënë në pranga pronari i saj, si dhe është shpallur në kërkim përdoruesi, i cili sapo ka shkuar kontrolli i ka vënë flakën ambientit.

Po ashtu është proceduar penalisht edhe përgjegjësi i OSHEE-së, për shpërdorim detyre, pasi nuk kishte konstatuar vjedhjen e energjisë elektrike në zonë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. N., 69 vjeç, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike” kryer në bashkëpunim, shpallën në kërkim shtetasin V. Xh., 35 vjeç, për veprat penale “Vjedhja e energjisë elektrike” kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe filluan procedimin penal për “Shpërdorim detyre” ndaj shtetasit R. R., 58 vjeç, banues në Korçë (me detyrë përgjegjës pranë OSHEE Korçë).

Gjatë kontrollit të ushtruar në magazinë, forcat e Policisë konstatuan vjedhje të energjisë elektrike dhe gjetën të montuara disa pajisje elektrike dhe hidraulike që dyshohet se mund të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel