Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, ishte të mërkurën në Gjykatën e Lartë për të zhvilluar një takim pune me Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ervin Pupe.
Pupe ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin për asistencën e vazhdueshme të dhënë nga Bashkimi Evropian, në mjaft sektorë të ndryshëm të sistemit të drejtësisë, veçanërisht në proceset e reformës në drejtësi.
Pupe e ka njohur Sorecën me veprimtarinë e deritanishme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke vendosur thelbin në qëllimin kryesor të këtij këshilli, në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e ligjore, në përzgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, për vitin 2021.
Bashkëpunimi i ngushtë, harmonik dhe puna paralele mes tre institucioneve kryesore të përfshira në këtë proces siç janë Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, do të sjellë funksionimin me përbërje të plotë të Gjykatës Kushtetuese, është shprehur Pupe duke garantuar vijimësinë e traditës së krijuar tashmë nga KED për të arritur këtë qëllim, më përkushtim.
Ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca, shprehu gadishmërinë për të vijuar mbështetjen e KED më asistencë teknike sikurse është ofruar deri tani, duke kërkuar nga ky këshill të vijojë më të njëjtin përkushtim në plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ambasadori Soreca theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve kyç, për të bërë të mundur emërimin e tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, duke inkurajuar vijimësinë e suksesit të KED në këtë proces.
Pavarësia, integriteti dhe efiçenca e plotë e institucioneve të drejtësisë, ishte në fokus të këtij takimi, prej nga ku Kryetari i K.E.D., mori edhe një herë konfirmimin për mbështetjen në implementimin e reformës në drejtësi, nga përfaqësuesi më i lartë i Bashkimit Evropian në Tiranë.
Top Channel