Rama: Shqipëria, vendi i parë në Rajon për para të miratuara për bujqësinë

30/06/2021 18:00

Kryeministri Edi Rama ndodhej këtë të mërkurë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në një event promovues për kartën e naftës për fermerët.

Në fjalën e tij, Rama tha se Shqipëria tashmë është vendi i parë në Rajon për ndihmën e dhënë për sektorin e Bujqësisë.

Rama: Kemi provën se në pak minuta me vetëm 1 dokument mund të aksesohet fondi i naftës pa akcizë, pa taksë qarkullimi e karboni për fermerët. Ky fond i vënë në dispozicion nga qeveria, ndryshe nga çka ndodhur në të shkuarën, shkon te fermerët dhe ka një rrugë që është e gjitha transparente nga fillimi në fund, nuk ka shanc që paratë për tokën të shkojnë për veturën apo për të tjera shpenzime që nuk kanë të bëjnë me objektivin. Arsyeja tjetër pse mu duk e rëndësishme të vija sot është edhe vendi ku bëhet kjo. Universiteti bujqësor është një nga pikat ku projektohet zhvillimi i vendit, jepet dija për një sektor që shkon duke u zhvilluar dhe ku çdo vajze dhe djalë ka mundësinë që duke i përkushtuar degëve të këtij universiteti ti krijojë vetes një fuqi të mjaftueshme për të hyrë në treg, ku kërkohet gjithmonë e më shumë dije. Ka paragjykim për këtë universitet dhe për degë të caktuara, rektori, skuadra e universitetit kanë shqetësimin e rënies së interesit, unë besoj se nëse ne arrijmë të përçojmë mesazhin dhe përmbajtjen lidhur me të kundërtën, ky interes do të rritet. Jemi në kushtet kur Shqipëria, falë AZHBR ka hyrë në një tjetër hapësirë financimi dhe nga vendi i fundit që ishte në gjithë rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor për thithje të fondeve sot është në vendin e parë. Jemi vendi i parë në Rajon për para të miratuara për bujqësinë. Mirëpo këto para të miratuara nga BE kërkojnë dije.

Duke risjellë në vëmendje objektivin prej 1 mld dollarë për eksportet bujqësore, Rama tha se është një sfidë, por e realizueshme. Rama thotë se vendi ynë i ka të gjithë mundësitë që nëse shfrytëzon si duhet burimet në fshat mund të shndërrohet në vend kampion në eksportet e vendit.

Rama: Performanca e këtyre sipërmarrjeve duhet të shkojë duke u rritur në mënyrë që të justifikojë kërkesën për fondet. Nuk ka kokërr leku në botë e Europë që ta japin nëse nuk u krijon bindjen se ajo kokërr leku do shkojë në drejtimin e duhur, përsa i përket efikasitetit që do ketë në sektor. Ne kemi vendosur një objektiv ambicioz për të shkuar në 4 vitet e ardhshme në kufirin e 1 mld eksporteve bujqësore, sot jemi në 400 mln, kur e nisëm ishim më pak se gjysma e 400. Sot ne kemi mundësinë që të synojmë për shumë më lart, nëse e nisëm me 150 mln dhe vajtëm 400 mln në momentet më të ngatërruara dhe më të vështira pa diskutim që ke mundësi që ta çojmë në 1 mld. Trefishimi i eksporteve në dy mandatet e para ka qenë një punë e vështirë sepse aty gjërat nga pikëpamja e qasjes së shtetit gati gati ka filluar nga zero. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që nëse i shfrytëzon si duhet burimet e veta në fshat të bëhet një vend kampion në eksportet e vendit.

“Fermerët të mos mbjellin ç’tu thotë mendja, por të studiojnë tregun”. Ishte ky mesazhi i Kryeministrit për fermerët, sa i përket të mbjellave të tyre, ku tha se duhet studiuar mirë tregu se çfarë ai ka nevojë, në mënyrë që të mbjellat e tyre të mos hidhen.

Rama: Ne jemi të parët në Rajon, kemi kaluar edhe Serbinë, që është një vend shumë më i madh. Në tërësinë e prodhimit bujqësor kemi punë për të bërë për tu harmonizuar. Bujqësi sot nuk mund të jesh ujk i vetmuar, se është e pamundur t’i rezistosh presionit të madh të konkurrencën, nuk mund të mbjellësh ç’të thotë mendja, por duhet të informohesh dhe të shikosh se cilat janë kulturat që ty të japin mundësi që të kesh akses dhe këtë akses e zgjeron, dhe nuk ankohesh se shteti nuk t’i blen prodhimet, por duke shtuar radhët përmes harmonizimit të interesave private, dhe jo kooperativa të një sistemi tjetër që nuk ka sesi imagjinohet.

Top Channel