Kontrolle nga Zvërneci në Ksamil/ 5 parcela rëre shfrytëzoheshin pa leje, hiqen çadrat

30/06/2021 13:13

5 parcela toke në plazh përdoreshin pa leje nga subjektet privatë në Vlorë, njofton policia.

Nga aksioni që ka nisur sot në mëngjes, deri tani 37 subjekte janë evidentuar 5 parcela pa leje ku janë hequr rreth 95 shezlongë dhe rreth 20 çadra.

Sipas policisë, kontrolli ka filluar nga Zvërneci deri në Ksamil, dhe do të vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare.

Njoftimi i policisë:
Në kuadër të operacionit “Bregdeti ynë”, nis faza e dytë e operacionit për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundraligjshme me shezlongë e çadra.

Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, 2 grupe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbime të Komisariatit të Policisë Vlorë, Himarë, Sarandë, Policia Bashkiake dhe struktura të mjedisit të Policisë Bashkiake, prej mëngjesit të sotëm ka nisur kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në qarkun Vlorë.

Kontrolli ka filluar nga Zvërneci deri në Ksamil, dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare.
Si rezultat i kontrolleve deri në këto momente në 37 subjekte janë evidentuar 5 parcela pa leje ku janë hequr rreth 95 shezlongë dhe rreth 20 çadra.

Top Channel