Një grup tregtarësh, të cilët shesin shpendë të gjalla në Elbasan, u ankuan në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” për një problem me bashkinë, e cila nuk “njeh” urdhrin e Ministrisë së Bujqësisë.

Një “përplasje” që ka penalizuar tregtarët, të cilëve iu ka mbetur malli stok dhe rrezikojnë falimentimin. Ata thonë se, pas përhapjes së gripit të shpendëve, ka dalë një urdhër që shitja të bëhet me analiza dhe me vërtetime veterinere. Por, megjithëse i kanë këto dokumente, ata nuk lejohet që t’i tregtojnë, pasi i ndalon bashkia.

Fermerët thonë se kanë 15 vjet që shesin në Elbasan shpendë të gjalla dhe janë zhvendosur disa herë, deri sa kanë mbërritur në vendin që iu ka caktuar bashkia. Paguajnë faturat çdo ditë, ndërsa vendi është në afërsi të rrugës. Pohojnë se, me shpërndarjen e gripit të pulave, Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë një urdhër që të mos lejohet shitja e pulave. Ndërkohë, disa ditë më vonë, ministria nxjerr një tjetër urdhër ku thotë se lejohet shitja “nga ferma në fermë, në zonat e lira, në treg…”. Dhe, pas urdhrit të dytë këta shitës i janë drejtuar vendit të caktuar, por nuk janë lejuar nga Policia Bashkiake. Kanë shkuar te Drejtoria Veterinere, që varet nga Ministria e Bujqësisë, që i ka kthyer përgjigje se lejohet të shesin në treg me “analiza të shoqëruara nga ISUV”. Këto analiza i kanë, por bashkia nuk i cakton vendin. Thonë se kanë shpenzime të mëdha, u kanë ngelur pulat dhe zogjtë pa shitur dhe se po falimentojnë.

Gazetarët interesohen në Drejtorinë Veterinere të Qarkut Elbasan, ku përgjegjësi thotë se, me gripin e pulave, kanë dalë urdhra për të mos lejuar që të shiten shpendë të gjalla. Më pas, ky urdhër ka ndryshuar dhe lejon që ato të shiten me kushte, me analiza bashkangjitur. Pyetjes se, nëse ka raste të fermerët që tregtojnë pula në tregun e Elbasanit, pohon se te ata nuk ka dhe se Elbasani është zonë e gjelbër. Thotë ka pasur një rast në Peqin, për të cilin janë marrë masat e duhura. Ai pohon se ministria ka përcaktuar shitjen edhe në treg, por për vendin duhet ta caktojë Bashkia e Elbasanit.

Bashkë me një grup tregtarësh dhe fermerësh, gazetarët interesohen në Bashkinë e Elbasanit. Pas një pritje të gjatë, zyrtarët e bashkisë pohojnë se do na japim një informacion dhe na drejtojnë te veterineri i bashkisë. Ky i fundit thotë se shitja në treg e shpendëve është e rrezikshme, pasi përhap gripin. I bëjmë me dije urdhrin e dytë të ministres që shkruan se “lejohet edhe në treg”. Ndërsa, veterineri thotë se “kjo fjalë është shkruar gabim në këtë urdhër”. Pyetjes se, nëse kanë një treg të mirëfilltë për shpendë në Elbasan, na thotë se “aktualisht jo”. Madje, kundërshton me forcë ministrinë që ka shkruar në urdhër fjalën “treg”.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel