Ekspertët e sëmundjeve infektive, janë duke analizuar mundësinë e dozave përforcuese të vaksinave të kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna, për amerikanët që kanë marrë vaksinën e kompanisë Johnson & Johnson, e cila jepet me një dozë, për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit Delta të koronavirusit.

Disa prej tyre thonë se tashmë e kanë bërë një gjë të tillë, pavarësisht se ende ka pak të dhëna që tregojnë nëse marrja e vaksinave nga dy prodhues të ndryshëm është gjë e sigurt dhe efektive, apo mbështetet nga rregullatorët amerikanë të shëndetësisë.

Kanadaja dhe disa shtete evropiane tashmë janë duke u mundësuar qytetarëve të marrin dy lloje të ndryshme të vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Debati ka në qendër shqetësimet rreth asaj sesa ofron mbrojtje vaksina e kompanisë J&J kundër variantit Delta të koronavirusit, të identifikuar fillimisht në Indi, por që tani po qarkullon më shumë shtete.

Delta, që është lidhur edhe me sëmurje më të rëndë, mund të bëhet shpejt variant dominues i koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, ka thënë shefja e Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky.

Ende nuk ka të dhëna përmbajtjesore që tregojnë se sa mbrojtje ofron doza e J&J kundër variantit të ri. Megjithatë, studimet britanike kanë treguar se dy doza të vaksinave të kompanive Pfizer/BioNTech apo AstraZeneca, ofrojnë më shumë mbrojtje kundër këtij varianti, për dallim nga vetëm një dozë.

Andy Slavitt, ish-këshilltar i lartë për pandemi në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, ka ngritur idenë e dozës përforcuese në podcast-in e tij të fundit.

Të paktën dhjetëra ekspertë të mirënjohur për sëmundje infektive, kanë thënë se rregullatorët amerikanë duhet ta adresojnë këtë çështje shpejt.

“Nuk ka dyshim se njerëzit që pranojnë vaksina të kompanisë J&J janë më pak të mbrojtur kundër sëmundjes”, sesa ata që marrin dy doza apo doza tjera, ka thënë profesori i Universitetit Standford, Michael Lin.

Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, nuk janë duke rekomanduar doza përforcuese, dhe këshilltarët në këtë agjenci kanë thënë në një takim publik se, nuk ka ende të dhëna për rënie të shkallës së mbrojtjes nga vaksinat.

Jason Gallagher, ekspert për sëmundje infektuese në Shkollën për Farmaci në Universitetin Temple, ka marrë së fundmi një dozë të vaksinës Pfizer në një klinikë në Filadelfia. Ai ka marrë aty vaksinën e kompanisë J&J, gjatë provave klinike në muajin nëntor.

Gallagher ka thënë se ka qenë i shqetësuar për të dhënat e testimeve në Mbretëri të Bashkuar, që kanë treguar pak efikasitet kundër variantit Delta, për personat që kanë marrë një dozë të vaksinës.

“Ndonëse situata është përmirësuar dukshëm në Shtetet e Bashkuara, varianti Delta që është duke u përhapur… kjo gjë në SHBA përbën shqetësim për infektimet e personave me një dozë të vaksinës”, ka thënë ai.

“Prandaj unë e mora të dytën”.

Numri i rasteve, hospitalizimeve dhe vdekjeve, ka rënë në SHBA, pasi 56 për qind e të rriturve janë vaksinuar plotësisht.

J&J ka thënë se është duke kryer testime nëse sistemi imunitar nga vaksina e saj mund të neutralizojë variantin Delta në laborator, mirëpo asnjë e dhënë nuk është bërë publike ende.

Vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna, kanë treguar rreth 95 për qind efikasitet në testimet amerikane, derisa ajo e kompanisë J&J, ka qenë 66 për qind efektive në parandalimin e sëmurjes së rëndë nga COVID-19.

Mjekja Angela Rasmussen, hulumtuese në Organizatën për Vaksina dhe Sëmundje Infektuese në Universitetin Saskatchewan, ka thënë përmes një postimi në Twitter, se ka marrë një dozë të vaksinës Pfizer këtë javë, pas pranimit të vaksinës J&J, në muajin prill.

Rasmussen, e cila nuk ka pranuar të intervistohet nga agjencia e lajmeve Reuters, ka inkurajuar amerikanët, që kanë marrë vaksinën e kompanisë J&J, që të bisedojnë me mjekët e tyre për mundësinë e dozës së dytë.

“Nëse jetoni në një komunitet me shkallë të ulët të vaksinimit, do të sugjeroja fuqishëm që të konsideroni marrjen e dozës së dytë”, ka thënë ajo.

Eksperti për vaksina Petere Hotez nga Kolegji Baylor për Mjekësi, ka thënë po ashtu në Twitter, se një dozë e dytë e vaksinës mund të ofrojë “mbrojtje më të madhe”, mirëpo Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe, duhet të ofrojnë më shumë udhëzime.

Instituti Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektuese në SHBA, është duke kryer testime për të vërtetuar nevojën për përforcime të të gjitha vaksinave të autorizuara me një dozë të vaksinës së Modernas.

John Beigel, nga ky Institut, ka thënë për Reuters se shpreson që do të ketë të dhëna deri në shtator për këtë gjë, për t’iu ndihmuar rregullatorëve në marrjen e vendimit për përforcues.

Për aq kohë sa numri i të infektuarve është i vogël në SHBA, marrësit e vaksinës J&J, duhet të presin për më shumë të dhëna, ka thënë ai.

Nëse varianti Delta nxit infektime të reja dhe numër të shtuar të të shtruarve të spital, ai ka thënë se vendimi duhet të merret në mungesë të të dhënave.

Mirëpo, tani për tani, “mendoj që është më mirë të presim”./REL/

Top Channel