Ermal Meta koncert në “Air Albania Stadium”, hyrja është falas

25/06/2021 15:29

Ermal Meta, këngëtari shqiptar me famë ndërkombëtare në Itali, ka zgjedhur që koncertin e tij të parë pas pandemisë, ta mbajë në 26 korrik në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Kryetari i bashkise Erion Veliaj mori konfirmimin e këngëtarit gjate një bisede online.

“Koncerti është në datën 26 Korrik. Është koncerti i parë që do bëj për ketë vit, por edhe pas pandemisë. Do e bëj në stadiumin e Tiranës me ndihmën tuaj dhe me falënderime nga ana ime,”

Sipas Veliajt kjo do te jete hapja me bukur e stinës se koncerteve edhe për Arenën Kombëtare, që nuk ka mundur ende për shkak të pandemisë globale të organizojë evente artistike të përmasave të tilla. Kreu i Bashkisë, i cili këtë video call e ndau edhe me ambasadorin italian në Tiranë, Fabrizio Bucci, nuk la pa përmendur edhe 30-vjetorin e eksodit të shqiptarëve në Itali.

“Do jetë koncerti i parë në stadium. Jam shumë i lumtur që e hapim stinën e koncerteve, por jam i sigurt që edhe Fabrizio është shumë i lumtur, sepse kanë kaluar plot 30 vjet nga eksodi, momenti ku shumë shqiptarë lanë vendin e tyre për të filluar një jetë të re në Itali, në kushte jashtëzakonisht të vështira, disa me anije, disa me gomone dhe ti je një histori suksesi i atij eksodi”.

Veliaj nënvizoi se ky koncert do jetë falas për të gjithë. “Do hapim një faqe ku njerëzit mund të rezervojnë biletën fizikisht, por vetëm për të rezervuar vendin, pasi na duhet të respektojmë rregullat anticovid. Koncerti do të jetë falas, falë bashkëpunimit edhe me Ambasadën e Italisë në Tiranë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit”.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel