“SPAK nuk mund të vijojë me komunikim alla nallbançe”, Anila Hoxha: Publiku do informacion, drejtuesit vijnë e ikin, institucionet mbeten

19/06/2021 16:42

Nga Anila Hoxha

Në një nga investigimet e kryera, menjëherë pas reformës në drejtësi, u përpoqa të kuptoja nëse drejtësia e re është apo jo transparente për publikun, duke e garantuar këtë standard për shtypin, me figurën e re të magjistratëve të medies.

Konkretisht, prokurorin e medies dhe gjyqtarin e medies. A ishin institucionet e reja të drejtësisë duke ndërtuar një urë komunikimi, apo do të vijonin të infektuara nga format pa standard të qasjes në publik, siç po veprohet duke shpërndare në grupe Whats Ap-esh informacione qe s’kanë asesi seriozitetin e një institucioni?

Testova prokurorinë e atëhershme të krimeve të rënda me pyetje ‘klishe’ qe nuk ishin sekret, për të cilat mora përgjigjen e shkurtër ‘ janë sekret”.
Shpresonim që transparenca, duke ruajtur të dhënat personale , hetimin dhe fashikujt do të garantohej. Sidomos do i tregonte edhe policisë një qasje të re, pa shpërndarje preferenciale titrash dhe pamjesh filmike. Dhe këtu e kam fjalën për informacionin që del nga zyra e shtypit, jo për atë që merret dhe zotërohet duke u bazuar në burimet e sigurta dhe të konfirmuara.

Një zyrë shtypi e policisë ne këtë rast, por më pas edhe e institucioneve të reja si KLP, KLGJ, ILD apo dhe prokurorët dhe gjyqtarët e mediave, nuk mund të shpërndajnë informacion të diferencuar. Me përjashtim të rasteve kur çdonjëri prej tyre kontaktohet dhe pyetet për rastet në ndjekje nga gazetari.
Por, kjo është një temë tjetër, për të cilën do shkruaj gjatë një here tjetër për problemet e secilës zyre.

SIÇ PO NDODH !
DHE PO NDODH !
DHE ËSHTË KTHYER NORMË.

Më lehtë hyn një shpërndarës picash (dhe nuk po flas figurativisht) në oborrin e Polit të Drejtësisë se sa një gazetar.
Tani të flasim për drejtësinë që duhet të ofroje transparencën bazike.
Larg asaj drejtësie, në të cilën gazetari duhet t’i shpjegojë oficerit se përse po e ndjek këtë seancë.
Larg asaj drejtësie hermetike , për të cilën janë investuar miliona euro, ku premtohet transparencë dhe komunikim i digjitalizuar, informacion në kohë reale dhe drejtësi që bëhet në sytë e publikut. Ligjet urdhërojnë që gjyqet janë të hapura dhe kjo duhet të ndodhë.

Larg asaj prokurorie që fshihet dhe argumenton çdo gjë me sekret shtetëror, duhej të kishim një listë publike, të aksesueshme dhe të qartë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të medias. As KlGJ dhe as KLP , nuk janë kujdesur që të freskojnë dhe përditësojnë listën, meqenëse shumë prej tyre janë shkarkuar.
Sot, SPAK kreu një nga goditjet e radhës kundër korrupsionit, duke dërguar në pranga një prokuror dhe disa të tjerë. Natyrisht që është një ngjarje e rëndësishme, që do t’u bënte mirë të dyja palëve. Publikut do t’i tregonte pa cenuar aktet e hetimit, se përse një prokuror i korruptuar përfundoi në burg.
Nga ana tjetër, edhe SPAK si çdo prokurori tjetër, i nevojitet komunikimi në mënyrë që mbi çështjet sekrete që nuk qëndrojnë asnjëherë sekrete, të mos aludohet e të prekë imazhin kësaj strukture të posaçme.

SPAK nuk mund të vijoje me komunikim ‘alla nallbance’ , transparaneca dhe komunikimi është standard për të cilin as kjo prokurori nuk bën përjashtim nga të tjerat.
Për çështjet qe ka interes të larte publik, publiku kërkon informacion. Jo vetëm sepse kjo është puna e gazetarit, por sepse kjo është e drejtë e publikut!

Mësojeni njëherë e gjithmonë këtë gjë. Drejtuesit vijnë e ikin, institucionet mbeten !
Sa vijon kronika e asaj kohe.

Top Channel