Çudira nga bota e egër/ Iriqi me organin katër-kokësh të riprodhimit mahnit komunitetin e shkencës (fotot)

18/06/2021 20:38

Shkencëtarët në Australi kanë zbuluar misterin e një prej mrekullive më të rralla të natyrës, atë të iriqit ekidna me organin riprodhues me katër kokë, duke krijuar një model 3D të penisit të quajtur ndryshe “alien”.

Janë në total katër specie të iriqëve ekidna, të cilat ashtu si platipusët, bëjnë pjesë në grupin unik të gjitarëve të vegjël të quajtur monotrema, të cilët lëshojnë vezë si zogjtë dhe peshqit, por gjithashtu prodhojnë qumësht për të ushqyer të vegjëlit.

Studiuesit thonë se ka ende shumë mistere për këtë grup gjallesash.

Por kryesorja mbetet ajo e penisit të tyre, që ka katër koka të veçanta, vetëm dy prej të cilave përdoret në çdo ereksion. Mrekullia vazhdon më tej me faktin se ekidnat mund të zgjedhin për të përdorur një herë njërën dyshe, dhe një herë tjetrën gjatë aktit të tyre të riprodhimit.

“Mënyra sesi ekidnat e bëjnë këtë mbetet një mister, por të paktën për herë të parë ne e kemi zbuluar si ndodh nga ana anatomike,” shkruajnë studiuesit në studimin e tyre.

Përveç formës së tyre të veçantë, penisi i ekidnave është gjithashtu i pazakontë sepse ndryshe nga gjitarët e tjerë, përdoret vetëm për riprodhim dhe jo për urinim. Për këtë të fundit ekidnat përdorin një ‘kloaka’ — një hapje trupore shumëfunksionale që përdoret për urinim, defekim dhe në rastin e femrave për lëshimin e vezëve.

Kur nuk janë në përdorim, penisët e ekidnave tkurren brenda trupit të tyre, ndërsa gjatë riprodhimit ato dalin në ereksion jashtë hapjes kloakale. Ndërsa testikujt e tyre qëndrojnë gjithë kohën brenda trupit.

Përveç organeve të tyre gjenitale të jashtëzakonshme, sperma e ekidnave ka një aftësi mahnitëse për të funksionuar në grup.

“Mostrat e exhakulimit të ekidnave mblidhen në formën e nje sfere në majën e kokave,” thotë Jane Fenelon, biologia autore kryesore e studimit në Universitetin e Melbourne, raporton Live Science.

“Këto masa spermatozoidësh notojnë në mënyrë progresive me një motiv të koordinuar e të përcaktuar, që duket se noton shumë më mirë sesa spermatozoidët individualë. Shumë pak kafshë njihen që e bëjnë këtë, ndërsa arsyeja është e panjohur”, shton  Fenelon.

Në studimin e tyre kërkuesit kishin marrë trupin e ekidnave të vdekura nga aksidentet dhe kishin rikrijuar modelin në teknologjinë 3D.

Ata kishin zbuluar një masë sfungjerore në indet e penisit, që i lejonte ekidnave të erektojnë secilën gjysmë të penisit, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

“Nuk jemi të sigurtë se përse u leverdis kjo ekidnave meshkuj, por besojmë se mund të jetë një avantazh për konkurencën mashkull me mashkull për femrën” tha Fenelon.

FOTO GALERI
1/5
Shkencëtarët në Australi kanë zbuluar misterin e iriqit ekidna me organin riprodhues me katër kokë

Top Channel