Dialog mbi stabilitetin strategjik/ Angazhimi i Biden dhe Putin pas takimit të parë, Rusia dhe SHBA do rikthejnë ambasadorët

17/06/2021 01:36

Shtëpia e Bardhë shpërndau një deklaratë të përbashkët të Presidentit amerikan Joe Biden dhe Presidentit rus Vladimir Putin lidhur me çështje të stabilitetit strategjik.

Në deklaratë thuhet: “Ne, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joseph Biden dhe Presidenti i Federatës ruse Vladimir Putin, vërejmë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë demonstruar se edhe në periudha tensioni, se janë në gjendje të bëjnë përparim në qëllimet e përbashkëta për të siguruar zhvillime të parashikueshme në sferën strategjike, duke zvogëluar rrezikun e konflikteve të armatosura dhe kërcënimin për një luftë bërthamore”.

Deklarata e cilëson zgjatjen së fundmi të Traktatit të ashtuquajtur “Fillimi i ri” si ilustrim të angazhimit të të dy vendeve për kontrollin e armëve bërthamore. “Sot ne riafirmojmë parimin se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të ndodhë kurrë”, shkruhet në deklaratën e përbashkët të të dy presidentëve.

“Në përputhje me këto synime, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të fillojnë së bashku një Dialog mbi Stabilitetin Strategjik në të ardhmen e afërt, i cili do të jetë i matur dhe i fuqishëm. Përmes këtij dialogu ne kërkojmë të hedhim bazat për kontrollin e armëve në të ardhmen dhe të marrim masa për zvogëlimin e rrezikut”, përfundon deklarata e dy presidentëve.

Më herët gjatë konferencës së veçantë për shtyp, Biden tha se i kishte bërë të ditur Vladimir Putin se SHBA do të vazhdojë të ngrejë çështje që kanë të bëjnë me të drejtat themelore të njeriut. “Nuk ka të bëjë me atë që ne do t’i vihemi pas Rusisë kur ajo shkel të drejtat e njeriut, ka të bëjë me atë se cilët jemi ne”, tha zoti Biden. “Si mund të jem President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të mos flas kundër shkeljes së të drejtave të njeriut”, shtoi ai.

Dy presidentët ranë dakord që të rikthejnë ambasadorët në kryeqytetet respektive pas tërheqjes së tyre më herët gjatë këtij viti. Presidenti Putin e cilësoi si “konstruktiv” tonin e bisedimeve me Biden dhe tha se nuk kishte armiqësi gjatë bisedimeve. Kreu i shtetit rus i bëri Bidenit një kompliment të rrallë duke e përshkruar si një burrë shteti me mjaft eksperiencë, ndërsa tha se ai ndryshon mjaft nga paraardhësi i tij, Donald Trump.

Top Channel