Zbulohet sekreti i pasurisë së super të pasurve: Të lindësh në një familje të pasur

16/06/2021 21:53

Sipas një raporti të fundit, 10 dinastitë më të pasura të botës, siç janë ato që zotërojnë Mars apo Walmart në SHBA, gjatë pandemisë shtuan pasurinë e tyre me të paktën $136 miliardë.

Miliarderët “e vetëkrijuar” si Jeff Bezos e Elon Musk kanë arritur fitime kolosale gjatë pandemisë së Covid-19, por raporti i ri tregon se për të qenë vërtet i pasur, nuk ka asgjë më të mirë se paratë e familjes, ose të trashëguara.

Dhjetë familjet më të pasura në SHBA, duke përfshirë zotëruesit e supermarketeve Walmart dhe dinastitë e industrive të ëmbëlsirave dhe kozmetikës, panë sesi asetet e tyre u shumëfishuan gjatë pandemisë, sipas raportit të ‘Institutit të Studimeve Politike’, të publikuar sot, shkruan The Guardian.

Raporti me titull ‘Silver Spoon Oligarchs’ (Oligarkët e Lugës së Argjendtë), detajon sesi këto familje jo vetëm shtuan miliarda në pasuritë e tyre, por u siguruan që sistemi të mbështesë rritjen e pasurimin e tyre të mëtejshëm gjatë dekadave.

Chuck Collins, bashkëautori i raportit e drejtor i Institutit, thotë: “Nëse sistemi funksionon siç duhet, ne nuk duhet të shohim pasurinë që përshpejtohet gjatë gjeneratave, pro në fakt ajo duhet të shpërndahej”.

Në vitin 1983 familja Walton, patriarku i të cilës Sam Walton themeloi Walmart, zotëronin nominalisht $2.15 miliardë (ose rreth $5.6 miliardë siç do të ishte vlera e tyre në 2020). Në fund të vitit 2020, pasardhësit Walton zotëronin një pasuri totale prej rreth $247 miliardë.

Ndërsa familja amerikane që prodhon çokollatat e preferuara Mars, ka shijuar një rritje të pasurisë me 28%, ose me $21 miliardë, nga marsi 2020 deri në maj 2021.

Dinastia Mars ka nisur në vitin 1911, kur Franklin e Ethel Mars hapën fabrikën e ëmbëlsirave ‘bestseller’ si ‘Milky Way’ e ‘Snickers’ në vitet 1920 e 1930, të cilat menaxhohen sot nga pasardhësit e tyre.

Në vitin 2020, pasuria e kësaj familjeje ishte $94 miliardë, sipas revistës Forbes që është një nga burimet kryesore të raportit.

Mes vitit 1983 e 2020, familja Mars rriti pasurinë me 3517% nga $2.6 miliardë në $94 miliardë. Ishin vetëm 27 familje që listoheshin në më të pasurit e Forbes në 1983 pasuria e të cilave në 2020, është rritur me 1,007% në vetëm 37 vjet.

Por edhe mes super-të pasurve ka probleme pabarazie. Supe të pasurit u pasuruan më shumë nga kolegët e tyre më pak të pasur, sepse pesë dinastitë më të pasura të SHBA e kanë rritur pasurinë e tyre me një mesatare prej 2,484% nga viti 1983 deri në 2020.

Kjo në një kohë kur pasuria e një familjeje të zakonshme amerikane nga viti 1989 deri në 2019, është rritur vetëm me 93%, sipas raportit, duke përfshirë dhe inflacionin.

Collins, drejtor i Programit të institutit për Pabarazinë dhe të Mirën e përbashkët, tha se familjet supet të pasura amerikane nuk po bëhen më të afta për t’u pasuruar, por vetëm për të larguar paratë e tyre nga sfera e taksimit.

Raporti nënvizon gjashtë zakone të leverdisshme të “dinastive të ngulitura thellë” mes të cilave përfshihen donacione të kufizuara bamirësie dhe evitimi i taksimit me anë të “trusteve të dinastisë”, të cilat mbrojnë ultra të pasurit  prej taksimit nga transfertat në një periudhë afatgjatë.

Një tjetër zakon i të pasurve është lufta ndaj rritjes së taksave. Korporata e familjes Mars për shembull, Mars Inc, ka shpenzuar më shumë se $20 milionë në 10 vitet e fundit për lobuar mbi çështje si reforma e taksave të pronës dhe e dhuratës”, nga të cilat ka dhënë $720,000 vetëm në 2020.

Raporti shton në kuadër të zgjidhjeve, se ka një nxitje në rritje për shtimin e fondeve dhe mjeteve për entin e lënë pas dore të Shërbimit të Brendshëm të Taksave në SHBA, dhe agjenci të ngjashme për mbledhjen e rritjen e taksave për pronën dhe trashëgiminë.

Por megjithë propozimet, Collins thotë se më shumë duhet bërë për eliminimin e vakumeve taksore apo parajsave taksore ku disa tipe trustesh amerikane fshehin pasurinë e tyre.

“Industria e fuqishme e mbrojtjes dhe armatimeve ka interes të thellë në mbrojtjen e rritjen e sistemit të dinastive,” shton Collins.

Javën e kaluar, një investigim nga grupi  ProPublica zbuloi se 25 amerikanët më të pasur paguanin “perqindje takse të vërtetë” prej vetem 3.4% në vitet 2014 e 2018, megjithse pasuria e tyre kolektive ishte rritur me më shumë se $400 miliardë në të njëjtën periudhë.

“Një arsye për të cilën duhet të na shqetësojë publikimi nga ProPublica, është masa gjigante e shmangies së taksave, e pasurisë shumica e të cilës kalon në linjën e gjeneratave. Kështu që ata përgatisin gjeneratat e ardhshme per shmangie taksore me pasuri të trashëguara”./The Guardian/ Përgatiti: Andi Lamko/

FOTO GALERI
3/3
Në vitin 1983 familja Walton, patriarku i të cilës Sam Walton themeloi Walmart, zotëronin nominalisht $2.15 miliardë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA